Editorial

Basha është po i njëjti shërbëtor, ai vetëm sa ndërroi pronarin

Editorial nga Rruga Press

Zgjedhjet e vitit 2013 që rezultuan me fitoren e Partisë Socialiste dhe me kryeministër Edi Ramën, e çuan në opozitë Partinë Demokratike pas tetë vitesh në qeverinë e kryesuar prej Sali Berishës.

Zgjedhjet e atij viti pasuan edhe me zgjedhje në Partinë Demokratike. Përpara kësaj, ish-kryetari i kësaj partie, Sali Berisha kishte dhënë dorëheqje nga kryesimi i partisë dhe ishte shprehur se nuk do të garonte më për kryetar, duke i hapur rrugën kështu figurave të reja në udhëheqjen e partisë.

Ajo çka u duk si një akt i demokracisë brendapartiake doli të jetë vendim i ish-kryetarit Berisha se kush do ta trashëgonte partinë.

I përzgjedhuri i Sali Berishës ishte Lulzim Basha, si një figurë që i bindet Berishës. Edhe dorëheqja e Berishës që u duk si shembull i hapjes së rrugës për gjeneratën e re doli të jetë vetëm një pazar i tij me pushtetin brenda dhe jashtë Shqipërisë që do ta ruante atë dhe rrethin e tij prej ndëshkimit të mundshëm, si pasojë e aferave në tetë vite pushtet.

Rrjedhoja e këtij pazari që e bënte Bashën kryetar të PD-së ishte largimi dhe përjashtimi i shumë figurave të tjera të partisë që shprehën mosdakordësi me këtë konsensus të brendshëm dhe të jashtëm. Nga ana tjetër, antarësia e partisë, në shumicë, u bind se vota duhet të shkonte aty ku kishte bërë zgjedhjen lideri i tyre i pazëvendësueshëm, Berisha.

Vitet në vazhdim për Partinë Demokratike do të kishin pamjen e një udhëheqësie formale që vendimet e veta i merr në zyrën e deputetit të thjeshtë Berisha.

Por, pas dy zgjedhjesh të humbura radhazi nga Lulzim Basha gjërat ndryshuan natyrshëm. Berisha u bë gjithnjë më i parëndësishëm sa i takonë fuqisë së tij kontrolluese dhe shantazhuese, kurse Basha u gjithnjë e më i rëndësishëm sa i takon mbushjes së rolit të opozitës shterpe, që gjoja i bën karshillëk një pushteti që ka kapur çdokënd e çdo sferë, por edhe që ka mbështetje në reforma të caktuara nga ambasada me peshë të pallogaritshme.

Ekuacionet ndryshuan; Berisha përveç se i padobishëm dhe i dobësuar, u bë pikërisht personi ku do të jepeshin efektet e para të reformave të kryera në vend. Këto efekte të shfaqura u panë pikërisht te shpallja e Berishës dhe familjes së tij persona non-grata prej Shteteve të Bashkuara. Nëse jemi në fazat e para të parapërgatitjes së opinionit publik për arrestimin e ardhshëm të bujshëm të Berishës dhe ndonjë të afërmi të tij, këtë do ta zbulojmë pas shumë muajsh, nëse diçka e tillë do të ndodhë ose jo.

Është vërtet për të ardhur keq për mënyrën se si është trajtuar antarësia e Partisë Demokratike.

Fillimisht, antarësia votoi pa asnjë dilemë zgjedhjen e Berishës për ta bërë Lulzim Bashën kryetar të partisë. Vite më pas kur pjesa dërrmuese e antarësisë shpreh pakënaqësi të thella me kryetarin Basha, forca ndikuese e Berishës e ruan po të njëjtën gjendje, pavarësisht këmbanave që binin në të katër anët. Edhe para disa muajsh kur Basha i rikonfirmua si kryetar i partisë, antarësia, pavarësisht humbjes dhe dëshirës për ta ndryshuar gjendjen, voton përsëri shërbëtorin e Berishës, Lulzim Bashën. Dhe pak kohë më pas kur nga trysnia e madhe Lulzim Basha ndërron pronar, nga Berisha kalon te Rama, si dhe i nënshtrohet lehtazi trysnisë së ambasadave, atëherë Berisha kujtohet se Basha është tradhëtar i partisë.

Nuk ka asnjë dilemë se Basha ishte po aq i paaftë më parë për të rrëzuar pushtetin e Ramës sa ç’është edhe tani, ashtu siç ai ka flirtuar edhe më herët me kryeminitrin Rama, si edhe ka lënë në baltë dhjetra çështje politike, sociale, që nëse do të ruheshin do të fitonte edhe PD-ja, edhe vetë shqiptarët. Një nga më të rëndësishmet, braktisja e çështjes së Teatrit dhe hapja e terrenit për projektin e Qeverisë Rama.

Por, tani që Berisha ka frikën se mos ai dhe të tjerë përfundojnë në burg “u vetëdijësua” se PD-ja dhe kryetari i saj është i kapur prej kryeministrit Rama.

Është pikërisht kjo moskonsistencë dhe ky përdorim instrumental që Berisha i bëri partisë dhe antarësisë së saj që po e çon drejt fundit partinë më të madhe opozitare, subjektin me potencialitetin më të madh për të rrëzuar pushtetin tashmë të palëkundur të Edi Ramës.

Lulzim Basha ka qenë po i njëjti shërbëtor edhe atëherë, edhe tani, ai vetëm sa ndërroi pronarët. Kurse, Berisha ka qenë po i njëjti, ai që shfrytëzon fuqinë e tij për mbrojtje të vetes dhe të disa të tjerëve, ai vetëm sa ka ngelur pa shërbëtor, prandaj po i rikkthehet edhe një herë antarësisë besnike që t’i bëjnë atij shërbimin e fundit, për ta siguruar edhe njëherë amnistinë.

Antarësia e Partisë Demokratike nuk ka qenë ndonjëherë në gjendje më të keqe se tani, por ama, nuk ka pasur më parë një rast si ky kur ashtu pa pritur të gjejë një rrugë tjetër që askush prej nesh nuk e kishte parashikuar. Ajo rrugë shkon përtej një shërbëtori si Basha, por edhe më përtej një mendësie që e sheh partinë dhe antarësinë si mburojën personale që e ndihmon t’ia hedhi të shkuarës së inkriminuar, një e shkuar që po trashëgohet dhe po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë nga pushteti aktual i Ramës.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *