Opinion/Aktualitet

Lajmet nuk po ndryshojnë, të bërit lajm po

Nga —Mimoza Koprani-Muçaj

Sfida më e madhe gjatë punës në televizion është të shkruash shkurt. Në kronikat televizive nuk ka vend për shumë fjalë. Është një format që vjen në shprehje para së gjithash me videon dhe fotografinë; është format që endet mes rrëfimit autentik dhe jetës krejt reale. Këto, pra, mundësohen vetëm nga objektivi i kamerës. Zaten, edhe të shkruarit e një kolumne, si kërkesë e redaksisë, m’u duk një sfidë jo e lehtë, sidomos në një truall të gazetarisë ku fjala merr përsipër të bëjë edhe punën e videos dhe atë të fotografisë, pra të kronikimit televiziv.

Bëra jo pak përpjekje në mendje që të zgjedh një temë për ta trajtuar, por ka dy dekada që kolegët e gazetës palodhur shtrojnë thuajse secilën temë me argumente shteruese e nga çdo këndvështrim. A ka mbetur diçka pa u thënë? Jo! Ndaj e gjej me vend të analizoj e të mjaftohem vetëm me mënyrën se si kemi shkruar e raportuar ndër vite. Me sytë e mendjes dhe kujtesës u ktheva dhe kaptova pas në kohë, në vitin 2000, për të evokuar si e nisa raportimin për herë të parë. Asokohe raportimet e para kishin të bënin mbi energjinë elektrike që po mungonte e mungonte, mbi korrupsionin në KEK, mbi vuajtjet e rënda plumb të familjeve që mbijetuan luftën, por po prisnin shumë anëtarë të tyre ende të pagjetur.

Raportonim edhe për rrugët e shkatërruara e plot gropa, luftën në Afganistan e gjithfarësoj temash të tjera. Dhe për çka vallë po flasim sot? A raportojmë për mungesë të energjisë elektrike? Po! Për fat të keq, po. Për vuajtjet e nënave që kanë ende fëmijë në varreza masive? Për gropa e trotuare të uzurpuara? Për korrupsion endemik në të gjitha poret e shoqërisë? Shpeshherë gjendja duket një “deja vu” krejt e njëjtë dhe një përsëritje tallëse e çdo gjëje në rutinën tonë. Megjithatë, ajo çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë, e për çka isha dëshmitare, është mënyra dhe kushtet e të raportuarit, por jo edhe temat që mbulojmë.

Do të ndalem për pak tek evoluimi marramendës në industrinë mediatike, fenomen ky që na ka prekur të gjithëve. Në vitin 2000, as në imagjinatën më të guximshme, nuk do të ishim në gjendje të përfytyronim se në një ditë si kjo do të ishim në gjendje të përcillnim te publiku kaq shpejt, e madje edhe shumë saktë, gjithçka që ndodh në kohë reale. Nuk do ta besonim se një ditë, reporterin/gazetarin do ta zëvendësonte me raste edhe vetë qytetari/shikuesi.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Xhiruesin/kameramanin do ta bënte secili që ka një telefon të vogël në duar. Vitet e pasluftës në Kosovë konsoliduan tri televizione me frekuencë kombëtare, disa radio në masë të madhe lokale dhe një numër gazetash. Si media të ndërtuara e të ndihmuara me teknologji edhe nga donatorë të jashtëm, asokohe përdornim teknologji moderne, e që sot ngjan si arkaike. Me kamera DVC Pro Panasonic, silleshim rrugëve e qyteteve tërë ditën për t’u kthyer kah muzgu për lajmet e edicionit qendror të orës 20:00. Ndoqëm as sa mundëm trendin e hovshëm teknologjik me formate si SD, SX, HD e sa e sa nënlloje të tjera.

Por nuk është ky halli që na ka shkaktuar teknologjia. Deri këtu jemi shumë në rregull. Por media në këto vite, jo veç në Kosovë, po sheh një transformim rrënjësor në secilin aspekt. Ndërsa në vitet e mëhershme sfida më e madhe ishte si të gjesh kontaktet, si të arrish të flasësh me njerëzit, si të zbulosh lidhje që janë pjesëza të një mozaiku të madh të ngjarjes, sot është krejt ndryshe. Çdo kontakt e siguron brenda pesë minutash, e mbase për po aq minuta e kontakton atë që e ke target. Mund të thoni se është lehtësuar të bërit gazetari! Deri-diku është e vërtetë.

Por kjo ka sjellë një sfidë tjetër e që është shndërruar në problem serioz që cenon mediat e vërteta e që kontaminon hapësirën publike online. Këtë sfidë po e krijojnë disa të ashtuquajtura “media online”. Dhe nuk janë pak. Tashmë mund të themi që kanë metastazuar aq shumë saqë qytetarët lexojnë “lajme” që i prodhojnë sekretariatet e partive, punonjësit administrativë të ndonjë biznesi apo edhe dikush që fare s’ka të bëjë as me njërën, as me tjetrën, por i leverdis të shesë lajmet e vërteta që i ka prodhuar dikush tjetër e që janë mediat tradicionale. Dhe ta mendoni që fitimet nuk janë të vogla. Faqe/portale të bëra me 30 euro, përmes teknologjisë që mundëson shpërndarje pa limit, zënë hapësirën e secilit që kyçet në rrjetet sociale.

Jo rrallë herë janë të shoqëruara edhe me marketing, pra gjenerojnë mjete nga reklamat. Pseudo-mediat morën hov të madh vitet e fundit. Nuk u ndalën as në këto vitet pandemike. Krahas përpjekjeve sfilitëse të gazetarëve serioz, që duke u futur mes të sëmurësh e mes të infektuarish, sfiduan limitet e shëndetit të tyre, të ashtuquajturat “media/portale” pa pikë keqardhje dhe pa ndalë u ushqyen me produktin e gatshëm të tjetër kujt. Dhe kjo tashmë pothuajse është bërë standard, që punën e një dyzine njerëzish të përkushtuar e profesionistë, me një klik të shpejtë, ta shesin si diçka të tyren. Duke vepruar në këtë mënyrë, përfitojnë në shumë aspekte duke dëmtuar po aq kompanitë mediale kredibile.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Dhe të mos flas për devijimin që shpesh i bëjnë lajmit me tendencë për të krijuar opinion të caktuar për çështje konkrete. Se kush i krijon këto media nuk do shumë mend të kuptohet që më së rralli janë gazetarët e vërtetë ata që bëjnë një gjë të tillë. A bëhen për të shantazhuar politikanë e biznesmenë, apo edhe grupe të tjera interesi? Tashmë kjo është dëshmuar disa herë. Mjafton një “hulumtim” në ca muaj ta nxjerrin dhe pjesën tjetër nuk e kanë problem ta pasurojnë me përmbajtje të vjedhur. Sa e lehtë është për opinionin të konsumojë mediat e tilla? Shumë e lehtë! A mund ta dallojnë ata se çfarë po ndodh në këtë treg marramendës? Aspak! Në emër të lirisë së shprehjes, abuzojnë me vakumin ligjor në këtë fushë.

Derisa dikush vendos t’i vë frerët kësaj dukurie të shëmtuar dhe të vë rregull mbi atë se çka është një media online, ne do të mbetemi të befasuar kur shohim lajmet/përmbajtjet tona tek shiten e stërshiten me dhjetëra herë nga stërshitësit.

Edhe më sfiduese është gara me lajmet e rrejshme. E pikërisht të tillat përhapën panik, pasiguri e rezistencë ndaj diçkaje për të cilën u quan në këmbë gjithë bota. Ajo është vaksina. Në këtë garë për një kohë infodemia u bë po aq e rrezikshme sa pandemia. Por kjo është një temë apo një luftë krejt tjetër për të cilën do të duhej një tjetër kolumne. Nuk i dihet ndoshta ia marr dorën edhe kësaj pune e vazhdoj ta shkruaj kolumnen e radhës. Deri atëherë, uroj që kushdo që ka interesim t’i ndjekë zhvillimet në vend e në botë, të ketë kujdes dhe t’i përzgjedhë mediat e vërteta. Ato që kanë kaluar në erëra të forta e dallgë të mëdha, por që kanë mbijetuar dhe vazhdojnë ta kryejnë misionin e tyre me dinjitet./Koha.net/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *