BallinaLajme

Protestë për thertoren, banorët e Laknasit tubim para Gjykatës: S’do të lejojmë të pritet pylli për biznes

Banorët e Laknasit kanë protestuar sërish këtë të hënë përpara gjykatës administrative të apelit duke u shprehur kundër ndërtimit të një thertoreje pranë banesave të tyre. Ata thanë se qëndresa do të vijojë me çdo formë dhe se shpresojnë që drejtësia të japë një vendim në favor të tyre.

Banorët e Laknasit në kryeqytet ju rikthyen protestës për të kundërshtuar ndërtimin e një thertoreje dhe restorantit në afërsi të banesave ku jetojnë.

Këtë të hënë, ata ishin para Gjykatës Administrative të Apelit ku pritej të merrej vendimi nga togat e zeza.

“Na mbron 300 banorë të fshatit tonë, na mbron fëmijët, ne, nga ajri, nga devijimi, nga shumë gjëra. Nëse nuk ka drejtësi, ne nuk do ta lejojmë në një mënyrë apo tjetër. Për të ardhmen e fëmijës tim unë do të bëj çdo gjë.”

Sipas avokatëve mbrojtës, gjykata duhet të japë një vendim pro qytetarëve pasi provat dhe argumentet u parashtruan në seancë.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

“U përpoqem ti shpjegojmë gjykatës që nëse do të lejohet dëmi do të ishte i menjëhershëm dhe nuk do të kemi mundësi ta rikuperojmë. Pala tjetër thotë nuk pa problem, nëse unë shkel ligjin më fusni në burg. Nuk jemi në këto kushte, nuk është çështje burgu. Nëse ti e pret pemën nuk na zgjidh gjë nëse palët shkojnë në burg, ne duhet pema.”

Ambientalisti, Sazan Guri, thotë se gjykata duhet të ndalojë ndërtimin pasi favorizon erozionin e tokës dhe përmbytjet e banesave.

“Është ky pyll që ujin e ndotur të Lanës e filtron dhe e bën të pastër, ua përcjell banorëve në ajër. Është ky pyll që ujërat nëntokësore i filtron me rrënjët e tij dhe çon ujë të pastër te puset.”

Tubimi i qytetarëve u ndërpre nga policia, të cilëve iu kërkua të respektojnë masat anti-Covid gjatë kohës që prisnin përfundimin e seancës gjyqësore.

Në përfundim, gjykata shtyu dhënien e vendimin për në datën 11 tetor.

Ndërtimi i thertores në Laknas ka nxitur protesta të herëpashershme tek banorë, të cilët prej vitit të shkuar pengojnë punimet në zonë.

YouTube player