Varret masive në Serbi, pas Kizhevakut dyshime për trupa në Novi Pazar dhe Sjenice
Në Kizhevak të Serbisë janë duke vazhduar gërmimet për mbetjet mortore të personave që dyshohet të jenë të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë lokacion supozohet se janë gjetur mbetjet mortore të 17 personave, të cilët dyshohen se janë shqiptarë.
Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës. Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odaloviç kanë monitoruar nga afër gërmimet në këtë pjesë.
“Përderisa kemi edhe mbi 1600 persona të zhdukur, natyrisht se nevojitet edhe një angazhim i pandalshëm që të zbardhet fati i personave te zhdukur”, thotw Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës.
Makolli tha se hulumtimi i përbashkët ka konfirmuar se janë edhe dy vendndodhje të varrezave masive të mundshme në Serbi – afër Novi Pazarit dhe Sjenicës. Kreu i delegacionit të Beogradit, Velko Odalloviç, tha se ai nuk mund të deklarojë asgjë me siguri për numrin e trupave në Kizhevak.about:blank
“Nuk mund të deklaroj asgjë me siguri për numrin e trupave por mund të supozooj se këtu janë mes 15 dhe 17 trupa. Vetëm pas procesit të zhvarrosjes dhe identifikimit do t’i japim përgjigje pyetjes rreth numrit të mbetjeve mortore dhe kujt i përkasin. Do të punohet në këtë lokacion për sa kohë që lejojnë kushtet e motit, sigurisht në 10 ditët e ardhshme. Kur punimet të ndërpriten, vendndodhja do të mbrohet dhe ruhet në mënyrë adekuate. Ne i qasemi kësaj pune jashtëzakonisht me përgjegjësi. I gjithë procesi do të jetë transparent”, shprehet Odalloviç.
Përfaqësuesi i Grupit të Punës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, tha se në javët e ardhshme, ekipet mjeko-ligjore do të punojnë së bashku për të mbyllur një kapitull të vështirë në jetën e shumë familjeve të të zhdukurve. Që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.