Lajme

Projekti i “Rrugës 5 Maji” ndërtohet mbi një hije dyshimi për fatin e banorëve të komunitetit rom

Nën projektin e arkitektit të njohur italian Stefano Boeri, Rruga 5 Maji pjesë e njësisë Administrative 8, pritet të shndërrohet në një prej lagjeve më moderne të kryeqytetit me hapësira të gjelbra që shtrihen në 29 hektarë tokë në godinat e së cilës do të strehohen rreth 12 mijë qytetarë.

Tirana Riverside do të jetë shtëpia e re jo vetëm e atyre që banesat ua shkatërroi tërmeti, por edhe e shumë të tjerëve, një pjesë e tyre të komunitetit rom, të cilët jetojnë në këtë zonë prej vitesh.

Në banesat që është parashikuar të mbulohen nga projekti është vendosur një shenjë “X” e cila nënkupton se ajo banesë do të shembet dhe si rrjedhojë banorët janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre me premtimin se do të kompensoheshin me shtëpi të reja si dhe do të pajiseshin me bonus qiraje.

Mirëpo shtëpitë nuk janë prishur ende, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve sot jetojnë me qira dhe thonë se nuk kanë marrë bonusin e premtuar, por nga ana tjetër kostot e qirasë për ta janë të papërballueshme.

Banorët e komunitetit rom në lagjen 5 maji tregojnë për Euronews Albania se i gjithë procesi është karakterizuar nga një mungesë e madhe transparence, dhe shumë prej tyre sot kanë mbetur pa një çati mbi kokë.

Znj. Drita ka rreth 3 muaj që nuk banon më në shtëpinë e saj dhe thotë se u tregua e gatshme të jepte shtëpinë e saj në këmbim të një tjetre kur iu tha se kjo gjë do të ishte në të mirë të interesit publik.

“Kam 30 vite këtu tek Rruga 5 Maji dhe gjithë jetën i kam shpenzuar paratë për të ndërtuar shtëpinë 2-katëshe”, tregon znj. Drita, një prej banoreve të zonës.

“Jemi 4 familje bashkëpronare tek ajo shtëpi dhe na thanë që në datë 16 duhet të lirojmë shtëpinë që të mos bëhemi pengesë e këtij projektit. Na u tha se do na japin bonusin dhe se shtëpitë do të prishen për të mirën e interesit publik, ndaj dhe unë pranova me besim të madh në shtet. Por kur erdhi puna, na nxorën jashtë. Ne pritëm që të marrim bonus dhe asgjë”, thotë Drita e cila ka tre muaj që jeton në një shtëpi në kushte të mjerueshme me nipin, djalin e saj dhe gruan e tij shtatzënë.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas
Dhoma ku jeton dhe fle Drita bashkë me nipin, djalin dhe gruan e tij shtatzënë / Euronews Albania

“Kam shitur mobiljet që të përballoj qiranë. Unë jam e sëmurë dhe as invaliditet nuk marr, edhe djalin e vogël po ashtu e kam të sëmurë”, thotë ajo.

Në dijeninë e saj, asnjë prej banorëve nuk ka marrë ndihmë nga shteti për të paguar qiranë, ndërsa shqetësimet e tyre i kanë adresuar dhe tek zyrat e njësisë 8 por nuk i është dhënë informacion dhe ajo mendon se shkak për këtë është dhe diskriminimi ndaj komunitetit rom.

“Bashkia na garantoi që do të merrnim shtëpi dhe kisha besim që nuk do na lenin në rrugë. Na rrethoi policia sikur të kishim vrarë njeri gjatë momentit kur po nxirrnim plaçkat”.

Ajo çka Drita kërkon është më shumë transparencë dhe t’i jepet shtëpia për të cilën ka rënë dakord me përfaqësuesit e bashkisë që trokitën në derën e saj.

Bardhyli, një tjetër banor me të cilën biseduam, ngre dhe një çështje tjetër, atë të sigurisë së fëmijëve. Ai është i shqetësuar pasi fare pranë oborrit të shtëpisë së tij kalojnë mjete të tonazhit të rëndë të cilat përbëjnë rrezik për fëmijët e tij dhe ata të lagjes, që dikur e kishin kënd lojërash kantierin e sotëm të ndërtimit.

“Më kanë zënë derën. Nuk na kanë thënë asgjë. Të paktën të më japin një bonus, të marr një shtëpi. Unë kam një njeri të sëmurë në shtëpi. Rruga e shkatërruar e bën të pamundur që unë të mund të lëviz me të”.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Ndërtimi i një pallati pranë shtëpisë së tij, si dhe rrënojat e shtëpive të shembura në kuadër të projektit Riverside Tirana, kanë sjellë një pirg të madh inertesh disa metra larg oborrit të shtëpisë së tij si dhe ndotje të lartë akustike për shkak të mjeteve të ndërtimit që punojnë aty.

Rrënojat e shtëpive të shembura dhe inertet e pallatit në ndërtim janë hedhur pranë shtëpisë së Bardhylit / Euronews Albania
Rrënojat e shtëpive të shembura dhe inertet e pallatit në ndërtim janë hedhur pranë shtëpisë së Bardhylit / Euronews Albania

Banorët janë konfliktuar disa herë me firmën e ndërtimit pasi iu kërkojnë që të mos hedhin inertet pranë banesave të tyre.

Gjithashtu ai shpreh shqetësimin se rruga e prishur përbën rrezik të madh pasi në rast emergjence, ambulanca apo zjarrfikëset do e kishin të pamundur të ndërhynin.

Edhe z. Bardhyl pretendon se askujt nga atyre që iu është prishur shtëpia, nuk kanë marrë bonus qiraje.

“Kanë dy muaj që nuk kanë marrë bonus. Ata po paguajnë nga xhepi i tyre”, thotë ai, teksa i kërkon shtetit të jetë më transparent.

Ata janë gjithashtu të paqartë, pasi shtëpia Bardhylit ndodhet midis dy shtëpive të tjera që janë planifikuar të shemben, por sot e kësaj dite askush nuk i ka dhënë ndonjë informacion më tepër mbi fatin e asaj që do ndodhë me banesën e tij.

“E kam shtëpinë e rregullt me firmën e kryetarit të hipotekës. Edhe unë me djersë e kam bërë shtëpinë, siç e kanë bërë dhe të tjerët”, thotë ai.

Banorët kërcënojnë të dalin në protesta si zgjidhja e vetme për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet.

Më 31 janar 2020, Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji”, duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit. Ndërsa në faqen e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ky projekt rezulton se është ende “në proces hartimi”./euronews/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *