Kontrata me Contour Global për termocentralin “Kosova e Re” shkon në Arbitrazh
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka pranuar njoftim nga ana nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes) dhe janë njoftuar për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global.
“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, është bërë e ditur në njoftim.
Tutje është thënë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në muajin mars, “Reutes” kishte raportuar se kompania “Contour Global” ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.
Arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
Kontrata me “Contour Global” është nënshkruar nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017.
Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane “Contour Global” ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.
Në muajin maj të vitit 2019, konzorciumi i udhëhequr nga “General Electric” është zgjedhur ofertues i preferuar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.
Sipas parashikimeve, gurthemeli për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është dashur të vihet deri në përfundim të vitit 2019.
Afati për përbushjen e kontratës për ndërtimin e TC “Kosova e Re” ka qenë deri në muajin maj të vitit 2020.
Përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht e kanë cilësuar të dëmshme këtë kontratë.
Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë ka qenë i planifikuar t’i kushtojë 1.3 miliard euro.
Banka Botërore ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr. Pas Bankës Botërore, edhe institucione të tjera financiare janë tërhequr nga ky projekt.