Lajme

BIRN/Tregu i ri i rrobave të përdorura në Selitë i lë tregtarët të pakënaqur

Anëtarët e komunitetit rom që vetpunësohen në tregun e rrobave të përdorura ankohen se shitjet janë të pakta dhe hapërsira e pamjaftueshme për të tregtuar.

Thirrjet e tregtarëve dëgjohen që larg kur afrohesh në tregun e ri të rrobave të përdorura në lagjen Selitë të Tiranës.

“Hajde vajza, pesëqind lekë, vetëm pesëqind lekë bluzat,” bërtet me zë të lartë një nga tregtarët.

“Mos u trembni…afrohuni shikoni se janë cilësi e mirë,” shton ai, duke u munduar të ysht myshterinjtë e radhës.

I fshehur në një prej rrugicave të rrëmujshme të lagjes periferike të Tiranës, pranë asaj që njihet si zona e “ish-fabrikes së Miellit”, tregu i ri i rrobave të përdorura popullohet kryesisht nga tregatarë të komunitetit rom.

Shumë prej tyre ankohen se në krahasim me vendodhjen e vjetër, të ardhurat e tyre kanë rënë ndjeshëm.

“Ne jemi 10 veta në familje dhe na kanë lënë vetëm 1 vend dy metra për të shitur,” thotë Mandi, babai i dy fëmijëve, i cili jeton me vëllezërit dhe kunetërit nën të njëjtën çati, dhe të gjithë së bashku kanë vetëm një tezgë në dispozicion.

“Ku shiten gjithë ato rroba në një vend aq të vogël,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “tregu i ri nuk bën fare.”

Tregu i vjetër i rrobave në Selitë u shemb nga policia bashkiake në fillim të dhjetorit. Sipas kryetari të bashkisë, Erion Veliaj qëllimi i shembjes së tregut të vjetër dhe ndërtimit të tregut të ri të rrobave të përdorur ishte imazhi evropian i Tiranës.

“Për 30 vite, i gjithë kryqëzimi i Selitës ka qenë një pikë shitjesh i rrobave të përdorura – një imazh jo evropian për një qytet që pret të marrë stafetën e Kryeqytetit Evropian të Rinisë,” tha Veliaj një postim në rrjetic social Facebook në 15 dhjetor.

“Por, kemi marrë vendimin që tregu të transferohet nga rrethrrotullimi i Selitës te Fabrika e Miellit, për të ardhur më brenda në Selitë, në një hapësirë të rehabilituar me ndriçim, asfalt, sinjalistikë, ku 100 tregtarë do të kenë një ambient ku mund të shesin në banak,” shtoi ai.

Lexo më shumë  Kosova do të hapë fabrikën e prodhimit të municionit dhe dronëve. Kurti: Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Ndryshe nga kryebashkiaku tregtarët nuk janë entuziast për tregun e ri të ndërtuar nga bashkia.

“Njerëzit këtu akoma nuk e kanë bërë sefte,” thotë Mandi për tregun e ri, duke nënkuptuar se gjatë ditëve të para që ka filluar puna, shitjet kanë qenë të pakta.

Një grua e moshuar mundohet të bëj pazar për çmimin e çantave | Foto : Nensi Bogdani

Tregtarët ankohen se me shitjet që sjell ky treg kanë vështirësi të paguajnë sigurimet shoqërore si të vetpunësuar.

“Të punojmë për të paguar sigurimet, apo për t’u dhënë fëmijëve bukë,” pyet një vajzë e re, e cila shiste rroba.

“Tregu i tanishëm është më i rregullt, por s’ka as punëm, as lekë,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se “me ça do mbahemi ne.”

Sabrie Ashimi, një tregatare 57 vjeçare e komuniteti rom, ankohet se tregtarët e Selitës akoma nuk kanë i xjerrë kostot e mallit që humbën pas shembjes së tregut të vjetër.

“Mallin na e morën me traktorë kur prishën tregun e vjetër,” tha Ashimi. “Me çfarë do e blejmë mallin, po nuk fituam këtu”,” shtoi ajo.

Ashimi kërkoi ndihmë nga institucionet vendore për tregtarët e prekur nga zhvendosja e tregut të rrobave të përdorura në Selitë.

“Duhet të na ndihmojë dhe bashkia,” tha ajo. “Kur hapën tregun në Shkozë i ndihmuan të gjithë, por ne pse nuk na ndihmojnë,” pyet Ashimi.

Tregtarët e Selitës gjithashtu ndajnë shqetësimin se vendet e tregut nuk janë caktuar në mënyrë të drejtë, pasi familjet e komunitetit rom janë me pjestarë të shumtë, ndërsa tezgat në dispozicion të tyre janë shumë të limituara.

Ata i thanë BIRN se në disa prej tezgave janë vendosur tregtarë nga zona të tjera të qytetit që nuk i përkasin Selitës.

”Kam vetëm këtë vendin e vogël këtu që më duhet ta ndaj me vëllezërit”, tergoi Fredi, një tregtar i cili tha se ishin katër kurora në shtëpi.

“Pse të vijnë nga Shkoza e nga Kinostudio të na zënë vendet, ndërkohë që neve që jetojmë këtu na kanë lënë pa gjë”, shtoi ai i indinjuar.

Lexo më shumë  Muja i përgjigjet Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

Edhe tregtarë të tjerë nga Selita ndanë të njejtin shqetësim.

”Këtu kanë ardh nga ana anës, njerëz që nuk kanë lidhje fare, e ngelemi ne të lagjes me një tezgë të vetme,” tha një tregtare tjetër, e vendosur në rreshtat e parë të tregut.

“Ne na takojnë 3 tezga, se jemi familje e madhe, me ça do i rrisim kalamajtë,” u ankua ajo.

E pyetur nga BIRN në lidhje me këto pretendime të tregtarëve, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Bashkia Tiranë nuk pati një reagim.

Një tjetër tregtare cila u indentifikua mbiemrin Osmani i tha BIRN se zyrtarët e bashkisë i kanë kërkuar shitësve në treg që të formalizohen.

”Po deshët paguajini sigurimet, po nuk patët mundesi ikni, kështu na thanë,” shpjegoi ajo.

Jo të gjithë tregtarët kishin ankesa për tregun e ri të Selitës.

Per te siguruar disa të ardhura ditore tregtarët rom në tregun e ri të rrobave të perdorura shesin çdo objekt personal | Foto : Nensi Bogdani

Mimoza Driza, nga të paktat tregtare në treg e cila nuk është pjesë e komunitetit rom, tha se e shihte tregun si nje mundësi të mirë vetpunësimi.

”Une kisha një dyqan me qira në Yzberisht por e kisha të pamundur ta përballoja,” tha Mimoza. “Këtu jam shumë herë më mirë pasi nuk paguaj as qiranë dhe mund të kursej edhe për veten,” shtoi ajo.

Mimoza shpjegoi se në treg do i duhej të punonte 4-5 ditë për të nxjerrë lekët e sigurimeve shoqërore, e më pas pjesa tjetër do ishin fitime personale.

“Në dyqan i shisja rrobat me 500 lekë të reja dhe përsëri nuk kishte shumë xhiro, njerëzit nuk kanë para,” tregoi ajo.  “Këtu në treg detyrohem t’i shes më lirë, rreth 200-300 lekë, por kursej pjesën e qirasë,” shtoi Mimoza.

Ajo tregoi se në fillim tregtarët e tjerë e shihnin me dyshim, si dikë që i kishte zënë vendin, por pasi e njohën si njeri, u miqësuan disi edhe me të./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *