Qeveria Moon e Koresë së Jugut planifikon t’i japë fund Luftës Koreane përpara se të largohet nga detyra
Administrata e presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të shfrytëzojë muajt e fundit në detyrë për t’u fokusuar në rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut.
Gazeta e Koresë së Jugut JoongAng Daily, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit, shkroi se administrata Moon do të përpiqet të kanalizojë administratën e Phenianit në një “deklaratë për t’i dhënë fund luftës” në muajt e fundit të saj në detyrë.
Zëvendësministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Choi Young-joon, në një konferencë për mediat në Zyrën e Dialogut Ndërkorean tha: “Jemi në një moment kritik kur përpjekjet tona mund të kenë një ndikim të qëndrueshëm në gjendjen e Gadishullit Korean. Qeveria do të hapë bisedimet për rivendosjen e paqes dhe denuklearizimin e Gadishullit Korean si një portë që shtyn për një deklaratë që do t’i japë fund Luftës Koreane”.
“Shpallja e përfundimit të luftës mund të jetë një pikënisje e mirë për rifillimin e dialogut midis dy Koreve, si dhe midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Gjatë katër viteve të fundit, administrata Moon Jae-in ka kërkuar vazhdimisht për të denuklearizuar Gadishullin Korean dhe për të rivendosur paqen e qëndrueshme. Në retrospektivë, Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang mundësuan tre samite ndërkoreane, dy samite SHBA-Kore e Veriut dhe takimin në Panmunjom. Unë mendoj se kemi bërë përfitime të rëndësishme në procesin e paqes”, tha më tej Choi.
Duke theksuar situatat që nuk duhej të kishin ndodhur, si bombardimi i Zyrës së Përbashkët Ndërlidhëse Veri-Jug vitin e kaluar, ndërprerja e linjave të komunikimit ndërkorean dhe vdekja e një zyrtari publik të Koresë së Jugut në Detin Perëndimor, Choi tha: “Megjithatë, që nga viti i kaluar, ka pasur një mesazh dialogu midis dy Koreve dhe SHBA-së në vend të konfliktit dhe në tetor u rivendos zyra e ndërlidhjes ndërkoreane e komunikimit, duke rritur mundësinë e dialogut dhe pjesëmarrjes”.
Në konferencën për shtyp morën pjesë edhe zëvendësministri i Jashtëm, Yeo Seung-bae, dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kur u pyetën nëse provokimet e Koresë së Veriut, të tilla si testet e raketave dhe armëve, do të pengonin përpjekjen e qeverisë Moon për të bërë paqe me Veriun, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut thanë se fjala “provokim” mund të jetë mashtruese për disa teste armësh, duke thënë: “Testet e SLBM (raketë balistike të lëshuara nga nëndetëset) i shohim si një kërcënim, jo si provokim”.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, më 13 dhjetor njoftoi se SHBA-ja, Kina dhe Koreja e Veriut kanë rënë dakord në parim për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës Koreane.
Zgjedhjet presidenciale në Korenë e Jugut janë caktuar për t’u mbajtur më 9 mars 2022.
– Lufta Koreane
Ndërsa Japonia po tërhiqej nga Gadishulli Korean, të cilin e aneksoi në vitin 1910 dhe e sundoi deri në vitin 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, dy qeveritë e krijuara në gadishull në vitin 1945 kishin bërë thirrje reciproke deri në vitin 1948 për “bashkim me njëra-tjetrën”. Pas dështimit të thirrjeve, Veriu dhe Jugu kishin krijuar shtetet e tyre veçmas.
Pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi dërgimin e forcave të OKB-së në Kore për t’i dhënë fund pushtimit të Koresë së Veriut, Turqia gjithashtu vendosi t’i bashkohet luftës në anën e OKB-së.
Në luftë në Korenë e Jugut humbën jetën 178.569 ushtarë, përfshirë 40.670 ushtarë të OKB-së dhe 137.899 ushtarë koreanë, dhe 508.797 ushtarë në Korenë e Veriut.
SHBA-ja, e cila humbi 36.940 ushtarë në Luftën Koreane, u bë “vendi me më shumë viktima”. Britania pasoi SHBA-në me 1.078 ushtarë të vdekur.
Lufta Koreane, e cila zgjati nga viti 1950 deri në 1953, u përfundua jo me një traktat paqeje, por me një armëpushim.
Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut janë teknikisht ende në luftë që atëherë, pasi asnjë marrëveshje e përhershme paqeje nuk është nënshkruar midis dy palëve.
Rruga Press