Lajme

Pse ndodhin? Shqipëria kërkon përgjigje për shtimin e vrasjeve me armë

Një ish-deputet dhe ish-kryetar komune qëllohet për vdekje në rrugë në një mbrëmje të ftohtë vjeshte; një biznesmen i cili u zhduk dhe u gjet i vdekur në mal pas një kërkimi policor 13-ditor; vrasja e dy personave, me sa duket të lidhura me një bandë; një 27-vjeçar vritet në një market në Tiranë pas një konflikti verbal me një punonjës policie. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur vetëm në tetor, nëntor dhe dhjetor. Shqipëria është tronditur muajt e fundit nga një varg vrasjesh – 56 deri më tani këtë vit, sipas policisë, krahasuar me 52 në të gjithë vitin 2020 dhe 44 në 2019.

Analistët dhe ekspertët fajësojnë një shtim të armëve të zjarrtit, mungesën e grumbullimit të mjaftueshëm të informacioneve nga policia dhe larjet e hesapeve në vend midis bandave të fuqishme të krimit shqiptarë që janë vendosur jashtë vendit. Ervin Karamuço, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, tha se Shqipëria kishte nevojë për një “strategji çarmatimi publik”.

“Po flasim jo vetëm për parandalimin e qasjes në armë, lehtësinë e mbajtjes së një arme, por edhe për lehtësinë e qasjes me armë në hapësirat publike”, tha Karamuço për BIRN.

Kërcënimi është rritur, tha ai, “për shkak se po përdoren armë më të sofistikuara dhe të rrezikshme dhe po ndodhin vrasje në zona të banuara”.

Thirrje për dënim më të ashpër

Problemi i armëmbajtjes pa leje në Shqipëri daton që nga fundi i viteve 1990, kur rënia e skemave piramidale shkaktoi tre muaj anarki dhe plaçkitje të depove të armëve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë grabitur 448,901 armë të të gjitha llojeve. Policia e Shtetit e vendos shifrën edhe më të lartë, në 549,775. Amnistitë e përsëritura kanë arritur të rikuperojnë vetëm një pjesë të këtij numri.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

I pyetur muajin e kaluar për shifrat shqetësuese të vrasjeve, ministri i brendshëm Bledi Çuçi u tha gazetarëve: Policia nuk mund të çarmatosë e vetme ata që janë armatosur që nga viti 1997.

Ai akuzoi gjithashtu gjykatat se ishin shumë të buta. “Si mund të lini në shtëpi dikë që është gati të vrasë dikë tjetër?” ai pyeti.

“Nuk them që policia nuk mban ndonjë përgjegjësi për atë që po ndodh në Shqipëri, por përgjegjësia është e shumëfishtë.”

Adriatik Lapaj, avokat dhe aktivist i shoqërisë civile, thotë se ndëshkimet për armëmbajtje pa leje duhet të ashpërsohen.

“Në Shqipëri rezulton se numri i armëve që mbahen pa leje nga qytetarët është shumë i lartë”, tha Lapaj për BIRN. “Me këto armë kryhen shumica dërrmuese e krimeve dhe për rrjedhojë, zbulimi i tyre bëhet i vështirë. Ky është një problem i madh social.”

Zgjidheni krimin për të parandaluar më shumë

Sotiraq Hroni, drejtor ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, një institut me bazë në Tiranë, tha se autoritetet duhet të fokusohen gjithashtu në parandalimin, kryesisht duke përmirësuar performancën e tyre.

“Ajo që më shqetëson është reagimi spontan dhe formal i institucioneve”, tha ai.

“Nuk mbaj mend ndonjë rast kur ka pasur marrëveshje për instrumente apo qasje që do të mundësonin parandalimin. Nuk ka zgjidhje tjetër të qëndrueshme dhe efektive përveç asaj që do të rriste llogaridhënien e institucioneve vendore dhe komunikimin e tyre me qytetarët.”

“Janë ndjekur politika të ndryshme për dorëzim vullnetar apo ndëshkimin e armëmbajtjes pa leje. Por askush nuk habitet për armët që po përdoren. Kjo nuk do të thotë që politikat shtrënguese nuk duhet të forcohen. Por mendoj se në thelb, qytetarët, sidomos në zonat rurale, e justifikojnë armëmbajtjen për shkak të mungesës së besimit te institucionet dhe mangësive në zbatimin e ligjit.”

Duke iu drejtuar komisionit të sigurisë të parlamentit shqiptar në fillim të dhjetorit, drejtori i sapoemëruar i policisë, Gledis Nano, tha se rreth 120 raste vrasjesh që nga viti 2014 mbetën të pazgjidhura.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

“Jo të gjitha vrasjet mund të zgjidhen në kohë rekord, edhe pse ka pritshmëri”, tha ai.

Karamuço tha se pikërisht duke zbardhur vrasjet dhe duke ndëshkuar autorët e tyre, policia do të ndihmonte në parandalimin e vrasjeve të tjera që të ndodhin në të ardhmen. Ai tha se disa nga vrasjet ishin të lidhura me bandat kriminale shqiptare që kanë zënë rrënjë në vende të tjera, veçanërisht në Evropën Perëndimore, por që po i lanin hesapet në shtëpi.

“Kur këtu ndodhin konflikte, policia jonë nuk ka informacion për to”, tha Karamuço për BIRN.

“Policia duhet të jetë në dijeni të të gjitha plejadave kriminale që krijohen nga konfliktet e vazhdueshme që kanë ndodhur. Nëse ata nuk e pengojnë krimin të ndodhë, atëherë duhet të angazhohen për zbulimin e autorëve të krimit pasi ai të ndodhë.”

“Parandalimi nuk kërkon armë, nuk kërkon muskuj apo autoritet të fortë. Nuk kërkon veprime represive, por kërkon inteligjencë”, tha Karamuço.

“Informacioni është baza, prandaj quhet inteligjencë. Pa informacion, policia jonë do të mbledhë vetëm gëzhoja.”

Marrë nga Reporter.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *