Rikthehet titullari i rëndësishëm, Partizani i plotë para derbit me Tiranën
Ndryshe nga ndeshja me Kukësin, Partizani shkon me ekipin e plotë në derbin e nesërm.
Para përballjes me verilindorët të kuqtë vuajtën problemet muskulore të Zhuniorit e Kaçes dhe gjendjen gripale të Belicës. Të tre lojtarët nuk ishin në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e shkuar.
Belica nuk u grumbullua fare sepse s’mundi të ishte gati, ndërsa Zhunior dhe Kaçe u aktivizuan në pjesën e dytë. Mbrojtësi tashmë e ka kaluar plotësisht gjendjen gripale dhe është kthyer në stërvitje normale me grupin, ashtu siç kanë bërë edhe dy lojtarët e tjerë.
Kështu, Partizani nuk ka asnjë mungesë të rëndësishme përpara kësaj ndeshjeje, përjashto Damçevskin e Kardozon, të cilët mungojnë prej kohësh dhe do të jenë gati në pjesën e dytë të sezonit, pra vitin tjetër.
Një lajm shumë i mirë ky për të kuqtë, pasi trajneri Daja mund të luajë me skemën që dëshiron duke pasur disa opsione.
Me kthimin e këtyre tre lojtarëve, ekipi fiton edhe më shumë personalitet.
Dihet pesha dhe përgjegjësia që mbajnë ata në ekip, në secilin repart që luajnë. Ndoshta më thelbësor është rikthimi i Belicës, pasi gjithmonë mungesat në mbrojtje shkaktojnë destabilitet të madh në lojën difensive.
Rruga Press