Lajme

Kriza energjitike/ 11 shoqata të biznesit: Kostot janë të papërballueshme

TIRANË– Shoqatat e biznesit kërkojnë të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë. 11 prej tyre paralajmërojnë se nëse qeveria nuk reagon do të marrin të tjera masa.

Bizneset kërkojnë që të qartësohen dhe garantohen kushtet për një treg energjetik të stabilizuar, të paanshëm, joarbitrar, demokratik, pasi nuk ekzistojnë absolutisht kushte të tilla për daljen në treg të 7538 subjekteve sipërmarrese. Po ashtu ata kërkojnë që të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë, si dhe të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga shoqëritë e vogla, të mesme apo klientë familjarë.

Duke nisur nga 1 janari, bizneset do të duhet të blejnë vetë energjinë elektrike në treg të lirë, ndërkohë që ata janë shprehur kundër kësaj skeme.

Deklarata dhe kërkesat e biznesit

“Karakteristikat fiziko-gjeografike dhe klima i atribuojne Shqipërisë një potencial të madh për energjinë hidroelektrike, energjinë diellore dhe energjinë e erës. Pavarësisht potencialit të madh të energjisë së pastër, totalisht nga burimet e rinovueshme, aktualisht vendi nuk prodhon atë që është e nevojshme për nevojat e tij dhe është i detyruar të importojë nga jashtë, duke vuajtur kështu pasojat negative të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shqipëria është një vend që energjinë e prodhon nga burime 100% të rinovueshme, siç janë hidrocentralet. Por, politika e qeverisë shqiptare, prej vitesh ka qenë një politikë tregtare. Në kushtet aktuale, që çmimi i importit është rritur shumë, kuptohet që kjo politikë tregtare e emergjencës, është jo fitimprurëse. Shqipëria ka një potencial hidro-elektrik dhe mund ta shtojë kapacitetin e prodhimit të brendshëm me 33%. Me këtë shtesë të prodhimit të hidrocentraleve, do të mund të plotësonte kërkesat e brendshme për energji, pa qenë e varur nga çmimet e importit dhe nga kriza e energjisë.

Biznesi vendas dhe i huaj është njoftuar që prej janarit të 2022, se 7538 biznese do të bëhen pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë elektrike.

Shoqatat e biznesit shqiptare dhe të huaja pasi u njohën me këto ndryshime kundërshtojnë këto masa, pasi ky ndryshim do të sjellë si pasojë: rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit, të kostove të shpërndarjes, të magazinimit të mallrave dhe produkteve. E gjitha kjo do të reflektojë në mënyrë të paevitueshme rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas. Rritja e kostove të prodhimit do të sjellë uljen të prodhimit, ulje të importeve dhe esporteve, duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë, e cila do të pasohet me uljen e punësimit dhe uljen e kontributeve e taksave.

 Shoqatat e biznesit, nëpërmjet kësaj deklarate kërkojnë fuqimisht:

  1. Të qartësohen dhe garantohen kushtet për një treg energjetik të stabilizuar, të paanshëm, joarbitrar, demokratik, pasi nuk ekzistojnë absolutisht kushte të tilla për daljen në treg të 7538 subjekteve sipërmarrese, të cilat aktualisht furnizohen me energji nga operatori publik. Nuk mund të hyhet në një treg pa ditur më parë rregullat e funksionimit të tregut. Aktualisht në Shqipëri nuk ka as treg të liberalizuar dhe as bursë energjie, e cila është kushti vendimtar për vetë ekzistencën e tregut të energjisë elektrike.
  2. Të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë. Propozimi i OST-së dhe OSHEE Sh.a. për rritjen e tarifave përkatëse të shpërndarjes dhe transmetimit është i pabazuar në kostot reale të këtyre dy subjekteve. Në kushtet aktuale të krizës energjetike, rritja e këtyre tarifave nuk reflektohet proporcionalisht me kostot që ka operatori i transmetimit dhe ai i shpërndarjes. Citojmë propozimin e OST-së për rritje të tarifës, i cili nuk justifikon humbjen ekonomike dhe kostot e tij.
  3. 3. Të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga shoqëritë e vogla, të mesme apo klientë familjarë pa u limituar te fuqia e instaluar 500 kë nga panelet diellore, por edhe duke përfshirë burime të tjera të rinovueshme të tilla, si era apo uji.
  4. Kërkojmë që rritja e çmimit të energjisë të jetë trasparente dhe të reflektojë vetëm pjesën e tarifës së energjisë së importuar.
  5. Të krijohet urgjentisht një tryezë teknike negociatash me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe komunitetit Europian.
  6. Nëse nuk do të ketë asnjë dialog për krijimin e tryezës teknike, shoqatat e biznesit që kanë përgatitur këtë deklaratë, do të ndërmarrin veprime të tjera të dakordësuara, që do të komunikohen pas datës 24 dhjetor.

Rruga Press

Lexo më shumë  Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *