Behgjet Pacolli i lidhjeve ruse dhe kazake për habinë e askujt mbështet Ballkanin e Hapur
Në vitin 2018, në emisionin Oxygen në Kosovë miliarderi ish-Ministër i Jashtëm i Kosovës dhe kryetar i partisë AKR Behgjet Pacolli, kishte deklaruar se njihej mjaft mirë me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.
Këtë njohje, sipas tij, e kishte ngritur për shkak të bizneseve të tij në Rusi. Poashtu, z. Pacolli u shpreh në atë emision se Vladimir Putin nuk ia hapte më telefonin dhe se do t’i ndërpresin marrëdhëniet deri sa Pacolli të jetë në politikë.
E njeh apo jo, kanë akoma raporte apo jo, këtë e di vetëm z. Pacolli. Publiku di vetëm se miliarderi Pacolli i bë i tillë për shkak të punëve që ai ka bërë në Rusi dhe Kazakistan me kompanitë e tij të ndërtimit. Edhe kur ishte nuk ishte në politikë, por edhe kur u fut në politikë, Behgjet Pacolli vazhdoi me projektet e tij milionëshe në Rusi dhe Kazakistan.
Jo çdo shqiptar ia ka arritur të futet në një shtet jomiqësor si Rusia dhe aty të bëhet miliarder. Kjo kërkon domosdoshmërisht një afinitet me njerëz të pushtetit, kërkon edhe që të ndjekësh interesat ekonomike dhe politike të këtij këtij vendi, që e dimë shumë mirë se është kundër shtetësisë së Kosovës dhe shqiptarëve.
Dje, z. Pacolli u shpreh se e mbështeste projektin Ballkani i Hapur dhe theksoi se kjo nuk është prej faktit se kryeministri Rama i ka dhënë konzorciumit ku bën pjesë edhe kompania e tij Mabetex të drejtën për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës.
Ai dënoi edhe djegien e flamurit serb në Tiranë, por nuk u shpreh aspak lidhur me faktin se edhe sot e kësaj dite, në vitin 2021, kur po hyjmë në vitin 2022, shteti serb ndjek politika mesjetare duke mos u lejuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.
Mosmbështetja e projektit serb Open Balkan dhe dhënia zë e çështjes shqiptare do t’i hapte shumë punë z. Pacolli në projektet e tij në Rusi, Kazakistan dhe së fundmi edhe tek ai i Aeroportit të Vlorës.
Prandaj, nëse nuk ka në plan të merret më me politikë bën shumë mirë, sepse duke u marrë me të vetëm dëme i ka sjellë shtetit të Kosovës.
Në këtë mënyrë do të ketë mundësinë që ta riaktivizojë miqësinë e tij të vjetër me presidentin rus Vladimir Putin, nëse vazhdon të jetë i dobishëm akoma për të.
©Rruga Press