Kufij që vrasin: Nga Kanali Anglez në Detin Mesdhe! 50 mijë viktima në rreth 3 dekada
Mbytja e një varke të vogël që çoi në vdekjen e 27 personave në Kanalin Anglez i shtohet listës së vdekjeve të pafundme përgjatë kufijve të Evropës. Mjerisht, nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë tragjedi. Që nga viti 1993, të paktën 50.000 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të kaluar kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, kryesisht përmes Detit Mesdhe.
Që nga viti 1999, më shumë se 300 njerëz kanë vdekur vetëm në brigjet veriore franceze të Kale-së, teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin dhe hynin në Britaninë e Madhe. Vitet 2000-2010 u karakterizuan nga shumë raporte për viktima në kufij, disa prej tyre shumë të tmerrshme si dy mbytjet e njëpasnjëshme të anijeve më 12 dhe 19 prill 2015, që shkaktuan mijëra të vdekur.
Por ne e dimë që pas tronditjes fillestare vjen harresa, e ushqyer nga mungesa e homazheve zyrtare dhe pamundësia për të mbajtur zi për ta, dhe e cila i hap rrugën rikthimin drejt rutinës dhe më pas indiferencës.
Brutaliteti i fjalimeve politike – që nuk mbahen më vetëm nga e djathta ekstreme – që synojnë të godasin të huajt e padëshiruar nga vendet jugore që përfshijnë ish-kolonitë evropiane, e transformon këtë indiferencë në një projekt politik që nxit refuzimin e të tjerëve dhe të botës në përgjithësi.
Mbyllja e vendeve në vetvete shndërrohet në një lajtmotiv. Vdekja e këtyre 27 njerëzve në Kanalin Anglez, duhet që të merret parasysh në lidhje me atë që po ndodh këto ditë në kufirin Poloni-Bjellorusi, si dhe përdorimi i policisë dhe ushtrisë polake kundër emigrantëve, por edhe i ushtrisë dhe policisë greke që hapi zjarr ndaj refugjatëve të bllokuar në kufirin greko-turk më 4 mars 2020, duke plagosur të paktën 7emigrantë dhe vrarë njërin prej tyre.
Menjëherë pas tragjedisë në Kanalin Anglez, autoritetet franceze dhe britanike nxituan të tregojnë me gisht përgjegjësinë e “trafikantëve kriminelë”. Në fakt këta të fundit janë kriminelë të ndyrë që përfitojnë nga politikat publike evropiane që po i shndërrojnë kufijtë në mure, kampe apo varreza, por ata nuk janë përgjegjës për vdekjet që kanë ndodhur dhe ndodhin në kufi.
Për drejtorin e Zyrës Franceze të Emigracionit dhe Integrimit (OFII), Didier Leschi, që u emërua si drejtuesi i ri i autoriteteve franceze në Kale, trafikantët “po përpiqen…t`i mbajnë kampet e refugjatëve buzë detit”, në mënyrë që të rekrutojnë kandidatë të mundshëm për udhëtimin e ndaluar drejt Britanisë.
Por është pikërisht përgjegjësia e shtetit francez, që të krijojë vende të sigurta për t’u kujdesur për emigrantët në vend se t’i lërë ata të enden në duart e trafikantëve. Kjo është ajo që iu kërkua gjatë misionit të tij në Kale, por pa asnjë dobi.
Kufijtë i çmendin njerëzit:si emigrantët që pengohen të lëvizin, ashtu edhe liderët politikë që i shohin ata si një simbol të fiksimit të tyre kombëtar. Dhe tani, më shumë se kurrë, kufijtë janë vende ku vriten njerëzit.
Ka disa zgjidhje që mund të parandalojnë shndërrimin e Kanalit Anglez në një varrezë, siç sapo është zotuar qëta shmangë presidenti francez Emmanuel Macron. Ato mund të vihen menjëherë në zbatim dhe do të ishin fillimi i një ri-humanizimi të kontinentit, që është thelbësor për të kuptuar si duhet problemin e migracionit dhe për të marrë vendimet e duhura.
Masa më urgjente është strehimi i emigrantëve që grupohen në Kale në vende të sigurta, ku ata të jenë të mbrojtur nga moti i acartë i dimrit dhe nga joshjet e rrezikshme që u bëjnë trafikantët.
Por këto hapësira duhet të jenë edhe të sigurta nga këndvështrimi i tyre, pra të mos jenë kurthe që të çojnë drejt ndalimit dhe dëbimit të tyre. Strehimi duhet të shkojë krah për krah me mbështetjen për kërkesat e tyre:të qëndrojnë në Francë, të shkojnë Britani apo gjetkë. Këtë dinë ta bëjnë punonjësit socialë dhe vullnetarë të komunitetit, nga fitimi i besimit të tyre deri tek vendosja e dialogut, duke synuar të kuptojnë dhe jo të dëbojnë dhe përjashtojnë.
Në këtë kontekst, të gjithë këtyre njerëzve mund t’u ofrohen mënyra për të ndjekur më shpejt procedurat e marrjes së statusit të azilantit në Francë. Më pas do të shohim, siç e kemi parë tashmë në të shkuarën, se kjo qasje mund të ketë më shumë dobi sesa mendojmë, dhe mund të qetësojë situatën.
Së fundmi, ne duhet t’i imponojmë pa asnjë vonesë të mëtejshme Britanisë atë që është premtuar disa herë, por pa u përmbushur ndonjëherë:ri-negocimin e Traktatit Lë Tuke të vitit 2014 për shtirjen e kufirit britanik në Francë, për të dalë nga ky pozicion i turpshëm i krijuar nga vetë ne.
Pra, ne duhet të heqim dorë nga bërja e punëve të pista të fqinjit në këmbim të kompensimit financiar, pikërisht atë që po bëjnë aktualisht Libia, Turqia dhe Maroku për llogari të Bashkimit Evropian. Këto masa do të kenë efektin e tërthortë, por gjithashtu edhe të menjëhershëm, në reduktimit e ndjeshëm të veprimtarisë së trafikantëve.
Në lojë është dinjiteti i kombit tonë, që ka përgjegjësinë e tij për atë që sapo ka ndodhur në brigjet e saj. Më shumë se çdo gjë, këto zgjidhje nënkuptojnë se shteti duhet të besojë tek organizatat bamirëse të rajonit, të cilat punojnë prej vitesh mbi çështjen e emigrantëve dhe kanë njohuri të thella falë bashkëpunimit të tyre me studiues të shkencave sociale. Ky besim u mungon aktualisht zyrtarët shtetërorë, të cilët nuk arrijnë të shohin solidaritetin që ekziston brenda shoqërisë franceze. (Nga Michel Agier – “Worldcrunch” – bota.al)
Shënim: Michel Agier, antropolog dhe etnolog francez. Ai është bashkë-autor i librit “Xhungla e Kalesë”
Rruga Press