Baza e NATO-s në Kuçovë, 213 familje në protestë: Nëse nuk plotësohen kërkesat, zhvendosemi para ambasadës së SHBA
Janë mbledhur në një protestë të dytë banorët e fshatit Moravë në Kuçovë, me pankarta në duar, duke u grumbulluar në tokat pranë fushës së aerodromit Ushtarak. Banorët kanë protestuar pasi ata nuk janë dakord me çmimin e përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes për shpronësimin e tokave, bizneseve apo banesave të tyre.
Banorët deklarojnë se ia kanë rinisur sërish dokumentin me firmat e të gjitha familjeve që preken nga ky shpronësim për rishikimin e çmimit, ndërsa kanë marrë të njëjtën përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes, ku thuhet se tokat e tyre do të shpronësohen në vlerën e 230 mijë lekë për dynym, çmim që sipas tyre është qesharak. Banorët e Moravës kanë deklaruar se tokat e tyre do t’i lëshojnë vetëm në rast se shpronësimet do të kryhen sipas çmimeve të tregut.
“Është vendosur një çmim qesharak. Qeveria po tallet me ne, pronat tona siç janë shtëpitë që kemi ndërtuar me mund e me djersë me emigrim, kemi një jetë të tërë. Pronat tona kushtojnë 20-fishi i asaj që duan të na shpronësojnë”, shprehet një prej banorëve.
Banorët kanë deklaruar se ata i kanë përcjellë për të disatën herë një ankesë me shkrim Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me mospranimim nga ana e tyre të çmimit të përcaktuar dhe kanë marrë të njëjtën përgjigje në lidhje me çmimin. Banorët shprehen se do të vijojnë protestat tashmë në Tiranë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ambasadës Amerikane. Për afro një orë, banorët e Moravës kanë protestuar, por këtë herë nuk u lejuan në zonën pranë fushës aviacionit, e cila ishte e rrethuar me policë dhe forcat e NATO-s.
Rruga Press