Marrëveshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në ditën e lindjes së Stalinit
Presidenti i Serbisë do të jetë në një vizitë dyditore në Tiranë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Në total pritet të nënshkruhen gjashtë marrëveshje, duke përfshirë edhe “Marrëveshjen për Kushtet për Qasje të Lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.”
Aleksandër Vuçiç do të zhvillojë sot një darkë të përbashkët në Tiranë ku do të ketë një takim joformal me Edi Ramën dhe Zoran Zaev, ndërsa për nesër janë planifikuar disa takime, kanë thënë për Tanjug burime nga Presidenca e Serbisë.
Më 21 dhjetor, që mbahet edhe si datë zyrtare e lindjes së diktatorit sovjektik Josef Stalin, në Pallatin e Brigadave në Tiranë do të mbahet takimi i tre zyrtarëve dhe anëtarëve të delegacioneve me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik, ku do të diskutohet për Planin Strategjik për Ballkanin e Hapur 2022.
Më pas do të vijojë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve trepalëshe dhe dypalëshe, e më pas Forumi Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal, ku do të marrin pjesë zyrtarë, ministra të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, rektorë të universiteteve bujqësore dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë. Në fund të tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Pritet që të nënshkruhet Marrëveshja për Kushtet për Qasje të Lirë në tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshja për Lidhjen e Skemave Elektronike të Identifikimit për Qytetarët dhe Marrëveshja për Bashkëpunim në Veterinarinë, Fitosanitare dhe Sigurinë e Ushqimit.
Rruga Press