Der Spiegel: Gjenerali i NATO-s kërkon trupa të aleancës në Bullgari, Rumani
Në artikullin e botuar sot, thuhej se propozimet e bëra nga Tod Wolters, Komandanti i lartë i NATO-s në Evropë, do të zgjeronin në fakt misionin e aleancës të quajtur “Prani e gatshme e shtuar”, nën të cilin ajo ka dislokuar forca ushtarake në shtetet baltike dhe në pjesën lindore të Polonisë.
Të shtunën gazeta gjermane Spiegel njoftoi se gjenerali i lartë i NATO-s ka sugjeruar se aleanca të vendosë një prani ushtarake në Bullgari dhe Rumani pas rritjes së pranisë ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Në artikullin e botuar sot, thuhej se propozimet e bëra nga Tod Wolters, Komandanti i lartë i NATO-s në Evropë, do të zgjeronin në fakt misionin e aleancës të quajtur “Prani e gatshme e shtuar”, nën të cilin ajo ka dislokuar forca ushtarake në shtetet baltike dhe në pjesën lindore të Polonisë.
Megjithatë “Der Spiegel” nuk e citonte drejtpërdrejtë zotin Wolters. Gazeta shkruante se sipas ‘informacioneve’ gjenerali Wolters kishte ‘bërë thirrje për një përforcim të trupave në kufirin lindor’ të NATO-s, gjatë një teleconference me shefat ushtarakë të vendeve partnere.
Sipas gazetës, ky plan, do të zgjeronte praninë e NATO-s (në Rumani dhe Bullgari) përmes misionit “Prani e gatshme e shtuar”, (EFP). NATO nuk pranoi të komentonte rreth këtij artikulli të Der Spiegel. Si Bullgari ashtu edhe Rumania e kanë kërkuar zgjerimin e pranisë së NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të premten se NATO do të “vlerësojë vazhdimisht nevojën për të rregulluar më tej qëndrimet dhe praninë e saj, edhe në juglindje të rajonit, pasi aleanca siç tha ai, duhet të jetë gjithmonë e sigurt se mund të mbrojë aleatët kundër çdo kërcënimi.
Rritja e pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainës ka rritur tensionet mes Moskës dhe NATO-s. Aleanca i ka kërkuar Rusisë të mos e sulmojë ish-republikën sovjetike, por Moska ka mohuar se po planifikon një gjë të tillë. Rusia thotë se po i përgjigjet asaj që e sheh si kërcënim për sigurinë e saj nga marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta të Ukrainës me NATO-n dhe synimet e saj për t’iu bashkuar aleancës.
Moska tha të premten se kërkon garanci ligjore e të detyrueshme nga NATO, se do të heqë dorë nga çdo aktivitet ushtarak në Evropën Lindore dhe Ukrainë.
Marrë nga VOA