Shkollat në Tiranë pa ngrohëse, nxënësit: Klasa nuk ka kushte, është ftohtë
Nxënësit e disa shkollave në kryeqytet janë të detyruar të zhvillojnë mësimin në të ftohtë, ose në rastin më të mirë në praninë e një ngrohësi të vogël elektrik. Në shkollën “Bajram Curri” nxënësit thonë se në klasë nuk kanë ngrohëse dhe detyrohen të rrinë me xhupa e duar në xhepa për tu mbrojtur nga i ftohti. Ndërkaq në institucione të tjera arsimore në kryeqytet problematike është edhe siguria pasi automjetet kalojnë në oborrin e shkollave.
Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme me ngrohjen në disa institucione arsimore të vendit. Ashtu si në shkollën “Ahmet Gashi” në kryeqytet ku nxënësit ankohen se nuk kanë ngrohëse kjo situatë është e njëjtë edhe në shkollën “Bajram Curri.”
Nxënësit thonë se detyrohen të mbajnë xhupat veshur për tu mbrojtur nga i ftohti.
“Me asgjë nuk ngrohemi.”
“Rrimë me xhupa se është ftohtë në klasë.”
Madje sipas tyre kushtet në klasë lënë për të dëshiruar.
“Xhamin e kemi të thyer, derën të thyer.”
“Derën e kemi pa xham, ka 2 muaj kështu. S’është marrë masë për përmirësim.”
Sipas Isa Halilit nënkryetar i sindikatës së arsimit në Tiranë ngrohëset janë ndezur në disa shkolla por në disa të tjera nuk ka fonde për të paguar lëndën e parë .
Shqetësuese është qarkullimi i të gjithë automjeteve në shkollën “Mustafa Greblleshii” duke rrezikuar jetën e fëmijëve.
Nxënësit ankohen edhe për sigurinë e tyre, pasi oborri përdoret edhe si rrugë makinash.
Jashtë kamerave prindërit kërkojnë marrjen e masave nga ana e ministrisë së Arsimit pasi mungon çdo standard sigurie./ora/