Lajme

Borrell mirëpret sanksionet e SHBA-së ndaj serbëve të Kosovës

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë futur në listën e sanksioneve: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.

Lexo më shumë  Mustafa Nano që kontribuoi në fitoren e Ramës me "gjithë qelbësirat bashkë" sot kërkon largimin e tij

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Sipas SHBA-së, grupi i Vesellinoviqit është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të SHBA-së, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

Lexo më shumë  Ja ku mund ta shikoni se ku duhet të votoni në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *