Protestë në Përmet, banorët kundër ndërtimit të kantierit për depozitimin e mbetjeve
Banorët e fshatit Piskovë në Përmet kanë protestuar për të dytën herë ditën e sotme kundër ndërtimit të një kantieri për depozitimin e mbetjeve urbane të qytetit. Banorët në protestën e tyre me pankarta në duar dhe me çadra për shkak të motit të keq, kanë kërkuar nga ana e Ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro anulimin e projektit.
Ata janë shprehur se ky projekt i vret ata për së gjalli, për shkak se dëmton rëndë mjedisin në atë zonë si dhe tokat me të cilat ata sigurojnë jetesën. Ndërkohë që kanë shtuar se projekti është i paligjshëm, pasi me ta nuk është konsultuar njeri për ndërtimin e një projekti të tillë.
Kjo ishte hera e dytë që banorët e këtij fshati kanë dalë në protestë. Ata kanë premtuar se nëse nuk do të merren masa për ndërprerjen e punimeve, ata do të ndërmarin hapa vetë.
RrugaPress