Kuriozitete

Ishulli që është kthyer në laborator të hapur për vullkanologët

Ata vijnë me dronë syshqiponje dhe instrumente shumë precize. Me ndihmën e satelitëve, analizojnë emetimet e gazit dhe rrjedhat e shkëmbinjve të shkrirë. Në sipërfaqe të tokës, ata mbledhin gjithçka duke filluar nga grimcat më të vogla deri te “shpërthimet e llavës”, sa madhësia e shalqinjve që një nga forcat më të mëdha të natyrës i hedh si predha të zjarrta.

Shkencëtarët nga e gjithë bota po grumbullohen në La Palma, në një nga Ishujt Kanarie të Spanjës në Oqeanin Atlantik, për të përfituar nga një shpërthim vullkanik që ndodhi vetëm një orë larg me makinë nga një aeroport ndërkombëtar dhe nga siguria e të punuarit nën shoqërimin e brigadave ushtarake. Ata po i aplikojnë teknologjitë më të fundit për të shqyrtuar një shpërthim të rrallë vullkanik nga toka, deti, ajri – madje edhe nga hapësira.

Si në dy shpërthime të tjera të mëdha në të gjithë planetin, nga Hawaii në Indonezi, qëllimi kryesor në La Palma është të përdorë një dritare të veçantë mundësish për t’i kuptuar më mirë shpërthimet vullkanike: si ato krijohen, zhvillohen dhe akoma më e rëndësishme për banorët e ishullit, si dhe kur përfundojnë këto shpërthime.

Mirëpo, pavarësisht teknologjisë së fundit dhe hapave shkencorë, studiuesit mund të bëjnë vetëm një mori studimesh se çka ndodh në nëntokën ku magma formohet dhe shkrin çdo pajisje të krijuar nga njeriu. Më së thelli që njerëzit kanë arritur ta shpojnë koren e tokës ka qenë pak më shumë se 12 kilometra, një arritje që shkencëtarët sovjetikë e kishin arritur në vitin 1989.

“Ka pasur shumë përmirësime në 30 a 40 vjetët e fundit në të kuptuarit e proceseve gjeologjike dhe evolucionare, mirëpo është ende e vështirë të dihet me siguri se çfarë ndodh në 40-80 kilometra thellësi”, ka thënë Pedro Hernández, ekspert në Institutin e vullkanologjisë, Involcan, në Ishujt Kanarie.

Image

“Me shumë gjasë, më përpara do të fillojmë t’i njohim yjet më mirë sesa çka ndodhë nën këmbët tona”, ka treguar ai.

Shpërthimet vullkanike janë një ngjarje e vetme, ose ndodh më së shumti dy herë në gjeneratë, në arkipelagun e Ishujve Kanarie, i cili shtrihet 100 kilometra në veriperëndim të Afrikës. Disa nga Ishujt Kanarie ende po rriten për shkak të magmës që grumbullohet nëntokë dhe, ashtu siç po ndodhë edhe në La Palma, formon gadishuj lave përtej vijës bregdetare.

Shpërthimi i fundit, një dekadë më herët në ishullin lindor të El Hierros, ndodhi pak larg bregut, që e bëri shumë më të vështirë për vullkanologët përpjekjen për të mbledhur mostra. Vullkani i mëhershëm tokësor shpërtheu në La Palma në vitin 1971, vitin kur lindi Valentin Troll, ekspert i shkëmbinjve në Universitetin suedez të Uppsala dhe bashkautor i një studimi gjeologjik i arkipelagut.

“Ka qenë befasuese, në kuptimin e plotë të fjalës ta shohësh këtë dinamikë në veprim”, ka thënë gjeologu.

“Po mësojmë shumë gjëra rreth faktit se si funksionojnë vullkanet”.

Sidoqoftë, përpjekja për të krahasuar të dhënat me ato të shpërthimeve të mëparshme, përfshin edhe kërkimin e regjistrimeve shekullore, disa nga koha kur as fotografia nuk ka ekzistuar.

Kur magma filloi të akumulohej thellë nën vargmalin Cumbre Vieja të La Palmas, shkencëtarët ishin duke e matur valën në sipërfaqen e tokës, përqendrimet e tërmeteve të njohura si tufa sizmike dhe shenja tjera të një shpërthimi të afërt. Ata nuk mund ta parashikonin kohën e saktë të shpërthimit, ani pse vlerësimet që i kishin bërë, i shtynë autoritetet të fillonin evakuimet e para vetëm disa orë përpara se të ndodhte më 19 shtator.

Image

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *