Të injektuarve me Sinovak dhe Sputnik s’u njihet pasaporta e vaksinimit në Itali, thotë mjeku
“Personat nga Shqipëria, që janë injektuar me vaksinat kineze dhe ruse nuk u njihet pasaporta e vaksinimit në Itali”. Kështu deklaroi për emisionin ‘Mirëmëngjes’ në Euronews Albania mjeku shqiptar në Itali, Taned Demaj.
Ai sqaroi se shqiptarët që janë vaksinuar me Sinovak dhe Sputnik, pas datës 6 dhjetor nuk mund të futen në asnjë ambient të mbyllur në shtetin italian.
Mjeku vuri theksin edhe tek kombinimi i vaksinave për dozën e tretë anti-COVID.
“Këtu në Itali Astrazeneca nuk po injektohet më. Më shumë ka injektime Pfizer ose Moderna. Moderna bëhet me gjysmë doze për ata që janë vaksinuar me Pfizer dhe J&J”, tregoi mjeku.
Z. Demaj sqaroi më tej se limiti për të marrë dozën e tretë është nga 6-9 muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.
“I gjithë personeli shëndetësor në Itali e ka me detyrim me ligj që të ketë dozën e tretë, ndryshe nuk shkojnë në punë. Është futur ligji i super-pasaportës së vaksinimit. Duhet të jetë i vaksinuar, jo me tampon negativ për t’u futur edhe në tren”, tha ai./euronews/
Rruga Press