Bota

Pas krizës politike në Austri, Karl Nehammer pritet të jetë kancelari i ri

Pas 24 orësh trazirash politike, Partia Popullore në pushtet e Austrisë ka zgjedhur Ministrin e Brendshëm Karl Nehammer për të marrë detyrën si kreun e partisë dhe vendit.

Nehammer do të jetë zgjedhja e tretë e partisë për kancelarin brenda disa javësh, pasi Sebastian Kurz u largua nga pushteti në tetor.

Turbulencat politike në Austri duket se tashmë janë qetësuar. Partia në pushtet ÖVP u godit rëndë të enjten në mëngjes kur lideri i saj, Sebastian Kurz, njoftoi dorëheqjen nga të gjitha postet politike.

Ky vendim nuk e goditi vetëm partinë më të madhe në Austri, por edhe qeverinë, të cilën Kurz e udhëhiqte deri në muajin tetor. Për shkak të një skandali për korrupsion, Kurz u detyrua të lirojë postin e kancelarit, e më pas edhe të funksioneve të tjera në politikë.

Vetëm pak orë më vonë, të njëjtin veprim e bëri edhe pasardhësi i Sebastian Kurz-it, Alexander Schallenberg, i cili drejtoi qeverinë austriake për 52 ditë. Vala e dorëheqjeve vazhdoi edhe në mbrëmje me ministrin e Financave, Gernot Blümel. Ndërkohë të premten dorëheqje dha edhe ministri i Arsimit, Heinz Fassmann.

Lexo më shumë  NYT: Inteligjenca iraniane dëshiron bisedime me CIA-n për fundin e luftimeve

Kur Austria pritej të shkonte në zgjedhje të reja, duket se në vend të zgjedhjeve, gjendet një zgjidhje. Të paktën kështu do të jetë deri në pranverë.

Partia Popullore e Austrisë të premten e emëroi kryetar partie dhe kandidat për kancelar ministrin e deritashëm të Punëve të Brendshme, Karl Nehammer. “Dëshiroj të njoftoj se sot jam emëruar në mënyrë të njëzëshme nga kryesia e Partisë Popullore si kryetar partie dhe njëkohësisht kandidat për kancelar”, tha Nehammer para gazetarëve.

Me ardhjen e Karl Nehammer kancelar, partia në pushtet do të riorganizojë edhe kabinetin qeveritar. Disa emra të rinj do të zëvendësojnë ministrat e larguar, kurse disa të tjerë do të kthehen në postet e kaluara. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë me ministrat e partnerit qeveritar, nga Partia e Gjelbër.

Me Karl Nehammer kancelar, postin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Gerhard Karner, i cili prej 18 vjetësh është deputet në Parlamentin austriak. Ish-kancelari Alexander Schallenberg thuhet se do të rikthehet në postin e Ministrisë së Jashtme, ndërkohë ministri aktual, Michael Linhart, do të vendoset sërish në vendin e punës së tij, si ambasador në Paris.

Lexo më shumë  Shtetet e Gjirit gati për sulm ushtarak ndaj Iranit: Çdo vijë e kuqe është kaluar

Pas dorëheqjes së Blümel, ministër i ri i Financave do të jetë Magnus Brunner, një emër i respektuar në opinionin publik në Austri. Ndryshime pritet të këtë edhe në Ministrinë e Arsimit. Në vend të Heinz Fassmann, Ministrinë e Arsimit do ta marrë përsipër Martin Polaschek. Ai ka doktoruar në Juridik dhe ka qenë rektor i Universitetit Karl – Franzens në Graz.

Ministrat e tjerë do të vazhdojnë punën në postet e tyre që kanë deri tash.
Tani i përket presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, që ta pranojë nominimin e Nehammer-it dhe ky i fundit të betohet, por kjo procedurë është kryesisht formalitet dhe pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *