KryesoreLajme

96 organizata i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të rishikojë ligjin për zonat e mbrojtura

Nëntëdhjetë e gjashtë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.

Sipas organizatave, shqetësimet e ngritura prej tyre që në vitin 2024, lidhur me ndryshimet në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, po materializohen. Ato argumentojnë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në shkurt të vitit 2024 kanë krijuar hapësirë për zhvillime që cenojnë integritetin e zonave të mbrojtura, duke përmendur si shembull investimin e planifikuar në zonën qendrore të Pishë–Poro–Nartës.

“Qëndrimi ynë paraqitet si një analizë më e gjerë e vendimmarrjes mjedisore, detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe pasojave afatgjata që sjell lejimi i zhvillimeve të reja turistike në zonat e mbrojtura”, citohet në kërkesën e tyre.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, organizatat kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe pezullimin e lejeve të reja për investime turistike e infrastrukturore në këto zona deri në përfundimin e këtij procesi.

Lexo më shumë  Bashkërisht, partive po u mungojnë nja 180,000 vota, afërsisht sa besohet se më 28 dhjetor patën ardhë mërgimtarë për të votu fizikisht në Kosovë

Sipas organizatave, këto kërkesa mbështeten në tre shqetësime kryesore: rrezikun që ndryshimet ligjore paraqesin për zonat e mbrojtura dhe procesin e integrimit në BE; pasojat afatgjata të investimeve në këto zona; si dhe mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen mjedisore.

“Që në vitin 2006, me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, palët angazhoheshin të zhvillonin bashkëpunimin kundër degradimit mjedisor. Njëzet vite më vonë, zhvillimet e fundit në zonat e mbrojtura tregojnë se vendi ka bërë regres në qeverisjen mjedisore”, thuhet në kërkesë.

Një tjetër pikë e theksuar nga firmëtarët është se zonat e mbrojtura nuk mund të tjetërsohen në heshtje institucionale dhe pa llogaridhënie publike. Sipas tyre, informimi dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor.

“Veprimtaritë në zonat e mbrojtura nuk mund të ushtrohen pa u marrë më parë lejet apo miratimet përkatëse mjedisore”, citohet në reagim.

Citizens.al ka dokumentuar se punimet në Pishë–Poro–Nartë kanë nisur ende pa u miratuar leja e zhvillimit për projektin. Ndërkohë, IKMT ka pohuar se punimet po kryhen mbi bazën e një lejeje të dhënë për “përgatitje” në funksion të ndërtimit.

Lexo më shumë  Bernie Sanders mbështet protestat në Shqipëri kundër projektit të Jared Kushner në Zvërnec

Duke theksuar se Kuvendi ishte nismëtari dhe miratuesi i ndryshimeve ligjore, organizatat kërkojnë që institucioni të marrë përgjegjësi për adresimin e pasojave të tyre dhe të garantojë që menaxhimi i zonave të mbrojtura të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe parimet e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Së fundmi, edhe Komiteti i Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC) ka ngritur shqetësime për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se ndryshimet e fundit ligjore mund të rrezikojnë përafrimin me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Kërkesa e 96 organizatave vjen në një moment kur protestat kundër ndërtimeve në Pishë–Poro–Nartë vijojnë prej ditësh, ndërsa debati për zonat e mbrojtura është kthyer në një nga çështjet kryesore publike në vend. /citizens.al/

YouTube player