90% e Mariupolit është shkatërruar, thonë zyrtarët në Ukrainë
Gati 90% e ndërtesave në Mariupol të Ukrainës janë shkatërruar nga bombardimet ruse, që prej nisjes së luftimeve më 24 shkurt.
Kështu deklaruan autoritetet e qytetit në Lindje të Ukrainës, i cili është i rrethuar nga forcat ruse.
Lesia Vasylenko, një deputete ukrainase, shkroi në Twitter se qyteti po “shkatërrohet nga qielli” dhe përsëriti thirrjen e presidentit Zelenski, i cili i ka kërkuar perëndimit që të vendosë zonë ndalim-fluturimi mbi territorin e Ukrainës.
Raporti për Mariupolin vjen në kohën kur ekipet e shpëtimit në këtë qytet po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit e një sulmi në një teatër, ku rreth 1000 njerëz – kryesisht gra dhe fëmijë – ishin strehuar për t’u mbrojtur nga bombardimet.
Përpjekja e shpëtimit po vazhdon mes bombardimeve që vijojnë ende nga forcat ruse, në periferi të qytetit.
Rruga Press