750 mijë amerikanë pa paga! SHBA hyn në shutdown – Trumpi kërcënon me pushime masive nga puna
Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara është futur zyrtarisht në “shutdown”, pasi Presidenti Donald Trump dhe Republikanët nuk arritën të arrijnë marrëveshje me Demokratët për miratimin e një projekt-buxheti të ri. Mbyllja nisi në orën 00:01 të së mërkurës sipas kohës lokale (04:01 GMT), duke shënuar ndërprerjen e parë të funksionimit të qeverisë amerikane pas gati shtatë vitesh.
Pse ndodhi mbyllja e qeverisë?
Kriza lidhet me dështimin e palëve për të kaluar një ligj që do të financonte shërbimet e qeverisë përtej muajit tetor. Republikanët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, por në Senat u mungojnë votat për të kaluar projektin pa mbështetjen e Demokratëve.
Përplasja kryesore është mbi shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Demokratët kundërshtojnë shkurtimet që ka bërë administrata Trump ndaj Medicaid dhe agjencive shëndetësore federale, duke paralajmëruar se kjo do të vështirësojë qasjen e miliona amerikanëve në sigurime shëndetësore. Ata kërkojnë gjithashtu zgjatjen e kredive tatimore që subvencionojnë sigurimin, si dhe rikthimin e fondeve të ndërprera.
Nga ana tjetër, Trump dhe aleatët e tij kanë refuzuar të bëjnë lëshime, duke pretenduar se Demokratët po pengojnë financimin e qeverisë për arsye politike. Madje, vetë Presidenti ka deklaruar se kjo situatë mund t’i shërbejë për të reduktuar më tej madhësinë e aparatit shtetëror.
Cilat shërbime ndalohen?
Mbyllja e qeverisë nuk prek çdo shërbim. Punonjësit e shpallur si “thelbësorë” – si mbrojtja e kufijve, agjentët e policisë federale, kontrollorët e trafikut ajror, mjekët e spitaleve publike dhe agjentët e ICE – do të vazhdojnë punën, por përkohësisht pa paga.
Ndërkohë, rreth 750 mijë punonjës federalë (rreth 40% e totalit) janë dërguar në shtëpi me leje pa pagesë. Kjo prek agjenci të rëndësishme si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Institutin Kombëtar të Shëndetit (NIH), muzeumet dhe parqet kombëtare.
Shërbime të tjera, si dërgesat postare dhe pagesat e sigurimeve shoqërore, nuk ndalohen, pasi financohen përmes mekanizmave të veçantë. Megjithatë, procese si verifikimi i përfitimeve dhe dhënia e dokumenteve të reja mund të vonohen.
Sa mund të zgjasë “shutdown”-i?
Për momentin, askush nuk mund ta thotë saktësisht. Shutdown-i i fundit, në fund të vitit 2018, zgjati 35 ditë – më i gjati në historinë e SHBA-ve – dhe solli pasoja të thella ekonomike. Ekspertët paralajmërojnë se situata aktuale mund të zgjasë edhe më shumë, pasi administrata Trump është treguar e gatshme të mbajë qeverinë të mbyllur për një periudhë të gjatë.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, këtë herë Trump ka kërcënuar hapur se do të përdorë krizën për të identifikuar dhe pushuar nga puna përgjithmonë punonjësit “jo thelbësorë”. “Do të pushojmë shumë njerëz”, tha ai të martën, duke e bërë të qartë se nuk e sheh mbylljen si dëm, por si mundësi.
Ndikimi në ekonomi
Çdo javë mbylljeje pritet të ulë me 0.1 deri në 0.2 pikë përqindjeje rritjen ekonomike, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit. Në mbylljet e mëparshme, ekonomia ka arritur të rimarrë pjesën më të madhe të humbjeve pas rihapjes së qeverisë, por këtë herë pasojat mund të jenë më afatgjata, për shkak të planit të administratës për të reduktuar përgjithmonë personelin dhe shpenzimet.
Sektorë të rëndësishëm si aviacioni, parqet kombëtare dhe studimet shkencore mund të pësojnë ndërprerje të rënda. Gjithashtu, vonesat në lëshimin e pasaportave dhe dokumenteve të udhëtimit pritet të ndikojnë drejtpërdrejt miliona qytetarë.
Një praktikë e përsëritur në politikën amerikane
Në 50 vitet e fundit, SHBA ka përjetuar disa mbyllje qeveritare, përfshirë tetë gjatë presidencës së Ronald Reagan. Megjithatë, që prej vitit 2018 nuk ka pasur një krizë kaq të rëndë. Në atë rast, ndërprerja u zgjat për shkak të mosmarrëveshjes mbi financimin e murit kufitar me Meksikën.
Ndryshe nga vendet e tjera ku buxheti konsiderohet votëbesim për qeverinë, sistemi amerikan kërkon marrëveshje mes ekzekutivit dhe legjislativit, duke e bërë përplasjen për fondet pothuajse të pashmangshme në periudha tensioni politik.
Rruga Press

