KryesoreSpeciale

68 vjet nga vrasja e gjirokastritit Myfit Sinojmeri, mësuesit aq të dashur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Ky artikull përmbledhës është shkruar nga gazetari strugan tashmë i ndjerë , Mehmet Latifi me rastin e 60 vjetorit të vrasjes së Myfit Sinonmeri. Po e ribotojmë sot mbas 8 vitesh, në 68 vjetorin e vrasjes së mësuesit gjirokastrit që prehet në Strugë.

Ky mësues i zellshëm, ky fanar i arsimit shqiptar, e pagoi me jëtën e vet rinore përkushtimin e tij për të arsimuar shqiptarët e Maqedonisë, detyrë që kurrë nuk e konsideroi si profesion, por gjithnjë si mision madhor. Sadoqë nga viti i krimit u bënë 60 vjet, struganët dhe ish nxënësit e tij edhe sot e kujtojnë me respekt dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Kujtimi dhe respekti nuk do të venitet ndaj figurës së pishtarit të arsimit, mësuesit martir gjirokastritit, Myfit Agush Sinojmeri.

Myfit Agush Sinojmeri lindi më 4 prill 1923 në Gjirokastër, në një familje me tradita të forta patriotike dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Gjirokastër, ndërsa të mesmen në Liceun e mirenjohur të Korçës.

Apelit të Ministrisë Shqiptare të Arsimit “200 mësues për 200 shkolla shqipe” ose siç njihet si “200 Pëllumbat e Parnasit Shqipëtar”, Myfit Sinojmeri iu përgjigj pa hezitim dhe e filloi misionin e tij të shenjtë si mësues në shkollën shqipe në Maqedoni. Myfit Sinojmeri për t’iu përgjigjur këtij apelit për arsimin shqip, braktisi studimet dhe iu përkushtua arsimit të shqiptarëve në këto troje. Fillimisht ai punoi dhe ushtroi detyrën e mësuesit në rrethin e Kërçovës ku edhe për një kohë u burgos për qëndrimet e tij antifashiste dhe idealet arsimdashëse të shqiptarëve. Pas daljes nga burgu, një kohë iu bashkangjit Brigadës së Katërt – gjegjesisht Brigadës së VII, (Shtatë Shqiptare)- ku qëndroi deri në përfundim të luftës.

Pas luftës, ai kthehet sërish në Kërçovë, fillimisht si punëtor administrativ dhe më pas i këthehet profesionit mësues – profesion që aq shumë e deshi dhe me përkushtim e ushtroi deri në vdekjen e tij të parakohshme. Pasi punoi një vit në Kërçovë, Myfit Sinojmeri tranferohet në Tetovë ku punoi një vit.

Në vitin shkollor 1946/47 mësuesi Myfit Sinojmeri erdhi në Strugë dhe ushtroi detyren e mësuesit edhe në fshatin Kalisht të Strugës. Dy vjet më vonë, më 1948 kur qeveritë e atëhershme të ish Jugoslavisë dhe Shqipërisë ndërprenë marëdhëniet diplomatike, Myfiti, për shkaqe të njohura vetëm për të, nuk pranoi të këthehet në Shqipëri, mbase edhe për arsyen se tashmë në Strugë kishte krijuar familje. Nga ana tjetër, nuk pranoi nënshtetësinë Jugosllave, gjë për të cilën më vonë do t’i hakmerren strukturat e UDB-së serbe.

Drejtuesit e atëhershëm të regjimit e pushuan nga puna, e larguan nga procesi arsimor. Me zemër të thyer dhe me hidhërim të madh, braktisi Strugën dhe niset së bashku me familjen drejt Zhitoshës, që ishte stacioni i tij i fundit.

Për të parandaluar shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe për t’i pajisur me dije e njohuri, Myfit Sinojmeri mori rrugën drejt Zhitoshës për të ushtruar profesionin që gjithnjë e konsideroi mision.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Ardhja e Myfit Sinojmerit në Zhitoshe, ishte sinjal i frenimit dhe parandalimit të shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi dhe fillimi i një epoke të re të arsimimit të shqiptarëve.

Mirëpo, vendimi i UDB-së për likuidimin e tij u ekzekutua më 14 Shkurt të vitit 1954!

Dora e zezë e UDB-së famëkeqe veproi ndaj Myfit Sinojmerit përmes ekzekutorit të këtij akti kobzi, për fat të keq, si jo rrallë herë në raste të këtilla, e kjo ishte dora e Adem Ballabanit, nga Zhitosha, si dorë e zgjatur e UDB-së, që shkrepi pas shpine mbi trupin e njomë të mësuesit, fanarit të arsimit shqip në Zhitoshë. Si zakonisht në raste të tilla, organet e atëhershme të hetuesisë, prokurorisë dhe gjyqësisë “konstatuan (?)” se Myfit Sinojmeri u vra në “rrethana të pasqaruara, pandriçuara dhe të panjohura ”.

Myfit Sinojmeri u vra në moshën 31 vjeçare duke lënë bashkëshorten Nesrinen (tashmë të ndjerë), me dy vajza të vogla, Dhuratën dhe Vildanen, familjen në Gjirokastër, Tiranë e gjetiu, që nuk i kishte parë që nga viti 1942, kur erdhi për të ushtruar misionin të mësuesit shqiptar- mision që e pagoi me jetën e vet.

Ai u vra për qëllimet e tij fisnike, sepse deshi të arsimojë shqiptarët dhe për t’i shlyer gjurmët e analfabetizmit në këto troje.

Data 14 Shkurt, kur u bë vrasja e Myfit Sinojmerit, është datë domethënëse në kalendarin historik shqiptar. Shumë ngjarje të jetës kulturore e arsimore shqiptare lidhen pikërisht me këtë datë:

– 14 shkurt 1880, lindi kryetari i parë i mësuesve shqiptar Tanas Konomi;

– 14 shkurt 1910, u mbajt mitingu për alfabetin shqip në Korçë;

– 14 shkurt 1911, doli numri i parë i gazetës “Koha” nga Vëllezërit Grameno

– 14 shkurt 1946, në fshatin Konçul të Bujanocit, u vra nga dora e zgjatur e UDB-së, nga një shqipfolës, mësuesi Mustaf Kelmendi nga Peja.

Myfit Sinojmeri ishte poet dhe piktor i respektuar . Poezitë e tij janë botuar nëpër gazeta dhe revista të asaj kohe në gjuhën shqipe, në raste të shumta me pseudonim, ku mësuesi dhe poeti Myfit Sinojmeri me shpirt dhe një nostalgji të rrallë i këndoi lirisë, të cilën e çmonte si një nga gjërat më të shenjta dhe më të shtrenjta në jetë. Vullneti, zelli, korektesia, fisnikeria dhe ideali për arsimin shqip, atij i ndihmuan që të mbjellë këtë ndjenjë edhe tek nxënësit e tij duke përsëritur gjithkund e gjithkah se “VETËM KOMBI I ARSIMUAR ËSHTË I AFTË TË ÇLIROJË VEHTEN”.

Edhe pse ai ndërroi jetë më 14 shkurt të vitit 1954, varrimi i tij u bë më 19 shkurt, pesë ditë pas vrasjes, duke e sjellë trupin e tij të pajetë për në shtëpinë e fundit në varrezat e qytetit në Strugë, ku edhe sot prehen eshtrat e tij.

Motra dhe vëllezërit e të ndjerit Myfit Sinojmeri: Naxhija, Masar dhe Imer Sinojmeri për herë të parë u përulën pranë varrit të vëllait pas plot 38 viteve.

Lexo më shumë  Reportazhi i RAI 3 – prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz?

Ngjarjen tragjike të vrasjes së mësuesit të nderuar Myfit Sinojmeri e shënoi edhe shtypi i kohës siç është p.sh. “Flaka e Vellazerimit” për muajin Mars/Prill të vitit 1954, ku mes tjerash në faqen nr. 5 shkruante: “Me vdekjen e pakohshme të këtij mësuesi të vlefshëm arsimi ynë humbi një ndër aktivistat ma t’aftë, ma të kulturuem dhe ma të dashtun…Dashtunia e madhe që ndjente populli kundrejt këtij arsimtari populluer u shpreh në pjesëmarrjen e madhe, lotët e derdhura në varrimin e tij”.

Po në këtë numër të “Flakës” krahas artikullit në fjalë është botuar edhe një elegji kushtuar Myfit Sinojmerit nga kolegu i tij Nexhat Pustina me titull “Nji shokut t’vdekun”, ku ndër tjera poeti Nexhat Pustina shprehet:

Një ditë para,

Fmijt e tu shtrengonte krahnori

Ku dinje ti-short-zi

Ç’mendonte mizori?

Figurat e tilla emblematike të arsimit janë simbol i rrugës së mundimshme të afirmimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut në disa etapa, që ishin plot dhimbje, vuajtje, sakrifica por edhe fitore e madhe.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së MV-së, Myfit Sinojmerit iu nda Mirënjohja e Ministrisë së Arsimit në vitin 2006 me motivacionin: “Për sakrificën, kontributin e veçantë dhe afirmimin e arsimit në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedinisë”.

Kjo mirënjohje post mortum për Myfit Synojmerin, është Mirënjohja më e lartë pas “Urdhërit Naim Frashëri i Klasit të Parë” akorduar nga ish presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, që poashtu i akordohet pas vdekjes së parakohshme këtij mësuesi gjirokastrit, viktimë e regjimit antishqiptar në bashkëpunim me UDB-në dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sadoqë nga viti i krimit u bënë 60 vjet, struganët dhe ish nxënësit e tij edhe sot e kujtojnë me respekt dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Kujtimi dhe respekti nuk do të venitet ndaj figurës së pishtarit të arsimit, mësuesit martir gjirokastritit, Myfit Agush Synoimeri.

Me rastin e 60 vjetorit të vrasjes së mësuesit nga Gjirokastra, Myfit Sinojmeri, në organizim të komunës së Strugës dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptar në Maqedoni, dega në Strugë, të shtunën, më 15 shkurt, do të mbahet një tubim përkujtimor kushtuar këtij mësuesi, me ç’rast do të marrin pjesë familjarët e tij, ish nxënësit, miqët dhe autoritetet vendore nga Struga, Gjirokastra, Tirana, Zhitosha, Shkupi, Prishtina etj.

Më poshtë një poezi e shkruar nga Myfit Sinojmeri

TË DUA LIRI

Të dua Liri

E shtrenjtë tri herë,

E shtrenjtë sa vetë jeta,

Të dua Liri!

Të dua Liri,

Se pa ty s’ka gëzim

As jetë…

Pse çdo dëshirë

Humbet e zhduket n’robëri

Si kripa

Që n’ujë tretë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *