KryesoreLajme

6 deputetët e LDK-së marrin mbështetjen e Grenellit, reagon ashpër Mekuli: Një bartës i dekoratës shtetërore serbe na del në krah të gjashtë deputetëve “diversantë”

Reagimi i Richard Grenellit në mbështetje të gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

Publicisti Gëzim Mekuli, në një postim në Facebook ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e ish-emisarit amerikan në zhvillimet politike në Kosovë, duke e lidhur atë me dekoratën që Grenelli kishte marrë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe duke ngritur dyshime mbi ndikimin që një qëndrim i tillë mund të ketë në thellimin e ngërçit institucional.

Shkrimi i plotë

Grenelli në mbështetje të BLLLOKADËS: I dekoruari nga Vuçiqi u del në krah 6 deputetëve të LDK-së!

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka ndërhyrë sërish në zhvillimet politike në Kosovë, këtë herë duke dalë hapur në mbështetje të gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin për president, Bekim Sejdiun.

Në një postim në rrjetin X, Grenell publikoi fotografinë e Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar si “miq të mëdhenj të Amerikës”.

Por kjo dhelpëri retorike e Grenellit hap një pyetje që nuk mund të anashkalohet: pse një ish-emisar amerikan, i dekoruar nga Aleksandar Vuçiq, po merr përsipër të përcaktojë se kush janë “miqtë e Amerikës” në Kosovë?

Po ju kujtoj se më 25 tetor 2023, Aleksandar Vuçiq e dekoroi Richard Grenellin me “Urdhrin e Flamurit të Serbisë”, duke e vlerësuar për kontributin në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Në atë ceremoni, Vuçiq e quajti Grenellin “mik të vërtetë të Serbisë”, ju kujtohet?

Dhe sot, me një fjali destruktive, një bartës i dekoratës shtetërore serbe na del në krah të gjashtë deputetëve “diversantë” në një moment kur Kosova po përballet me një tjetër ngërç politik.

Të dashur lexues,

Kjo nuk është më thjesht një deklaratë e një ish-politikani amerikan: Është një luftë speciale politike që meriton të shihet me kujdes.

Pyetja ime është e thjeshtë: A po përdoret vota e deputetit shqiptar për të zgjidhur një krizë institucionale, apo për ta thelluar atë?

Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për BLLOKADA të reja që kanë mbështetjen nga miqtë e Serbisë; Ka nevojë për përgjegjësi politike, jo për kalkulime që e mbajnë Kosovën peng.

Dhe kur kësaj bllokade i bashkëngjitet edhe mbështetja publike e Richard Grenellit, dekorata që ai mban nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk mund të mos na shqetësoj.

Konsekuent deri në pikë të fundit; Kosova nuk ka nevojë për bekime politike nga Beogradi; as drejtpërdrejt, as përmes atyre që Beogradi i ka dekoruar me “Flamurin e Serbisë”.

Lexo më shumë  LVV-ja zhvillon aksion simbolik para Komunës së Prishtinës për gjendjen me mbeturinat
YouTube player