Kuriozitete

58 vjet nga fjalimi historik “Unë kam një Ëndërr” i Martin Luther King

Si sot e 58 vite më parë, më 28 gusht të 1963, Martin Luther King mbajti në Uashington fjalimin e tij historik kundër racizmit, “Unë kam një ëndërr”.

Aktivisti për të drejtat e njeriut iu drejtua një turme prej 250.000 protestuesish të cilët po ashtu kishin një ëndërr, fundin e diskriminimit racor dhe të drejta civile të barabarta për të gjithë.

Ky fjalim përcaktoi lëvizjen e të drejtave të njeriut në SHBA dhe renditet si një ndër fjalimet më të njohura jo vetëm në historinë amerikane, por edhe në botë.

“Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri”, thuhet në fjalim.

Duke iu referuar Etërve Themelues të SHBA por edhe Biblës, Luther King përdori tema universale për të përshkruar dhunën ndaj afrikano–amerikanëve dhe më pas shpalosi “objektivat” për të drejta të barabarta.

Fjalimi i tij u pa menjëherë si një nga pikat kryesore të protestës së suksesshme të asaj dite. Ai konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme për lëvizjen e të drejtave civile dhe ekonomike në SHBA dhe thuhet se pati ndikim në adimistratën Kennedy.

John F. Kennedy u vra rreth tre muaj më vonë, por pasardhësi i tij, Lyndon Johnson do të nënshkruante Aktin e të Drejtave Civile të vitit 1964 dhe Aktin e të Drejtave të Votimit të vitit 1965, duke shënuar përparimet më të rëndësishme në legjislacionin për të drejtat civile në Amerikë.

Në vendin ku Martin Luther King mbajti fjalimin historik u ndërtua një memorial kombëtar në nder të tij.

I lindur më 15 janar 1929, Martin Luther King përveçse aktivist ishte një klerik Baptist, duke ruajtur kështu trashëgiminë e brezave të tij. Ai u rrit në Atlanta, në një kohë kur diskriminimi ishte një realitet i përditshëm për personat me ngjyrë në jug të Amerikës.

Përvjetorin e fjalimit historik e përkujtoi sot edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku e cilësoi si një “çast përcaktues për lëvizjen e të drejtave të njeriut në SHBA”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *