Lajme

“550 milionë euro u dhanë si rryshfet”/ 6 fakte pse rruga Kardhiq-Delvinë është rast unikal në botë

Nga Klodian Tomorri

Faktet e thjeshta të Kardhiq-Delvinë

Fakt 1

Rruga Kardhiq-Delvinë në një drejtim është rast unikal në botë. Një vepër publike e prokuruar në 7 apo 8 lote, merr shtesë kontrate në masën 20 për qind thuajse për çdo lot, përveç tunelit. Shtesat e kontratës bëhen pa garë me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. Buxheti i jep kompanisë private 20 për qind para shtesë mbi fondin me të cilin ajo ka fituar tenderin.

Fakt 2

Instrumenti i shteses së kontratës është parashikuar në ligj për raste te veçanta, kur në realizimin e një kontrate prokurimi dalin të papritura. Sa është probabiliteti që në një vepër me 7 tendera, të dalin të papritura në realizim thuajse në të gjithë tenderat? Statistika është shkencë e pamëshirshme.

Fakt 3

Kontratat më të mëdha të Kardhiq-Delvinë janë prokuruar në verën e vitit 2018. Të gjitha ato kontrata kanë marrë shtesë 20 për qind në vitin 2021. Ku hyn opozita dhe Saliu në këtë histori?

Fakt 4

Vetëm si pasojë e shtesave të kontratave kostoja e rrugës Kardhiq-Delvinë është rritur të paktën me 20 milionë euro, pa përfshirë këtu mangësitë në projekt që mund të kishte lënë qeveria parardhëse.

Fakt 5

Në vrojtimin global të sipërmarrjeve që u zhvillua në vitin 2019, Banka Botërore dhe BERZH e renditen Shqipërinë si vendin e dytë në botë me nivelin më të lartë të rryshfetit. E para ishte Zambia. Sipas raportit bizneset shqiptare janë mesatarisht 3.07 për qind të xhiros për rryshfet. Në vitin 2019 xhiro totale e bizneseve në Shqipëri ishte 18 miliardë euro. Mbi 550 milionë euro u dhanë si rryshfet.

Fakt 6

Sipas vrojtimit, pjesa më e madhe e këtyre 550 milionë eurove që jepen rryshfet është përqëndruar në dy drejtime; tenderat publike dhe lejet e ndërtimit. Sa është probabiliteti që Kardhiq-Delvinën të mos e ketë zenë Covidi? Statistika është shkence e pamëshirshme.

Opinion

Sali Berisha kishte një mani me kontratat publike, veçanërisht ato në rrugë. Atë të prokurimit me kosto sa më të ulet. Përjashtim bën Durrës-Kukës, që është një histori tjetër. Dhe kjo mani kishte një arsye. Ne zgjedhjet e vitit 2009 demokratet krijuan bindjen se çelesi për fitoren e zgjedhjeve ishin investimet publike, veçanërisht ndërtimi i sa me shumë rrugëve të reja. Por paratë e buxhetit ishin te kufizuara.

Kur sasia e parave është e kufizuar dhe ti do të ndërtosh sa më shumë rrugë, mënyra e vetme është të ulësh koston për njësi. Por mbajtja e kostos me forcë në nivele të ulëta, krijoi një problem edhe më të madh.

Lexo më shumë  Kurti uron Plenkoviqin: Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë

Një pjesë e rrugëve ose mbeteshin të papërfunduara totalisht ose kishin mangësi në cilësi dhe elementet e sigurisë. Në fund mania për t’i prokuruar me kosto të ulët, ne disa raste rezultonte edhe më e shtrenjtë për qytetaret. Rruga Elbasan-Tirane, ajo Kardhiq-Delvinë janë vetëm dy nga shembujt.

Socialistet kanë një mani tjetër me kontratat publike të rrugëve. Për çdo problem që del rrugës, propozimin për zgjidhjen ia lënë në dorë kontraktorëve privatë. Madje ka patur raste kur kontraktorët kanë bërë dhe projektin si tek Unaza. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse kostot e Kardhiq-Delvinë dhe shumë rrugëve të tjera kanë kërcyer në qiell dhe pse sot Shqipëria prokuron rrugë me kosto për kilometër disa herë më të lartë se sa në të shkuarën.

Por pse nuk e duan disiplinën buxhetore ne prokurime këta? Arsyeja nuk është shume e vështirë për t’u gjetur. Sigurisht nuk e bëjnë se janë budallenj apo leshko, që po ua hedhin kontraktorët privat. Por e bëjnë për partneritet.

Ky është një biznes ku ndahen para mes kontraktorëve dhe qeveritareve. Rryshfetet duhet të dalin nga diku. Ndaj kostot fryhen e fryhen, ndërsa qytetarët paguajnë e paguajnë pa bërë zë. Madje në fund edhe këndojnë sa sa bukur e hëngrën.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *