Lajme

36 mijë emigrantë në vit do të sillen në Shqipëri, çfarë parashikon marrëveshja Rama-Meloni

Një marrëveshje e arritur në parim që në 15 gusht kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni erdhi me traget nga Puglia për të pushuar me familjen e homologut shqiptar Edi Rama në Vlorë, është firmosur sot mes dy liderëve në “Palazzo Chigi” të Romës.

Porti i Shëngjinit do të jetë porta hyrëse për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Europë përmes Italisë, sipas protokollit për menaxhimin e flukseve migratore.

Përmbajtja e protokollit është zbardhur nga TgCom, që raporton se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një “fluks vjetor prej 36 mijë personash”.

Në të dy objektet nuk do të strehohen “të mitur, gra shtatzëna dhe persona vulnerabël”, sic edhe sqaroi në konferencën e përbashkët për mediat, kryeministrja Giorgia Meloni.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

“Më shumë se aperitivë, gjatë takimit që dy liderët zhvilluan dhe që u cilësua si një festë e thjeshtë”, shprehen burimet për La Stampa, duke ju referuar marrëveshjes së 15 gushtit, që u nënshkrua sot dhe që do të funksionojë duke nisur nga pranvera e vitit 2024.

Si do të funksionojnë dy qendrat?

Memorandumi i mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e flukseve migratore nuk vlen për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por për ata të shpëtuar në Mesdhe nga anijet italiane, si ato të Marinës dhe Gdf, por jo ato të OJQ-ve.

Në portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Po aty autoritetet italiane do të krijojnë një qendër pritjeje dhe kontrolli të parë, ndërsa në Gjadër do të krijohet një strukturë model CPR për procedurat e mëpasshme.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

“Ajo në port do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit me një aktivitet fillestar depistues, ndërsa qendra që do të ndërtohet në zonën më të brendshme do të jetë një strukturë model CPR”, tha kryeministrja italiane.

Këto struktura fillimisht do të mund të strehojnë deri në 3 mijë persona, që do të qëndrojnë aty gjatë kohës së nevojshme për të përfunduar procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil, të shkurtuar deri në 28 ditë nga ana e Italisë.

Objektivat e marrëveshjes, siç nënvizoi Meloni, janë “të goditet trafiku i qenieve njerëzore, të parandalohen flukset e parregullta dhe të mirëpriten vetëm ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare”.

Rruga Press

YouTube player