33 vjet nga rënia e dëshmorëve Nesim Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi
Më 27 janar 1990 në fshatin Brestovc u vranë për të mos vdekur kurrë: Nesimi Elshani nga Nagavci, Agron Fetahu nga Celina, Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël dhe Halim Hoti nga Krusha e Madhe, ndërsa ishin plagosur nëntëmbëdhjetë të tjerë. Në janar 1992, me rastin e dyvjetorit të vrasjeve në fshatin Brestovc nga forcat speciale të policisë serbe, Ukshin Hoti i përkujton të rënët me shkrimin: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!”.
BËJE OSE VDIS, PËR TA VRARË VDEKJEN!
Nata e gjatë makabër e lojës me vdekjen do të duhej të përfundonte. NESIMIU, HALIMI, AGRONI, HILMIU, etj. e kishin dëgjuar zërin e brendshëm të shpirtit që urdhëronte: BËJE OSE VDIS PËR TA VRARË VDEKJEN! Duke e gjakuar jetën me dinjitet, e kishin fituar atë. Ai që e kërkon shpëtimin e saj me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do ta jetojë me nder!”.
Të gjithë brezat e shkuar i vinin themelet e së ardhmes, por kohët nuk thyheshin gjithmonë. Ato ngecnin në vazhdimësi me qëllim që të shpërthenin më vonë. Mbase për t’i gjetur përgjigjet në pyetjet që i shtronte mendja. Ndër shqiptarët, të gjitha thyerjet e kohës e kishin pasur edhe kuptimin e takimit me Evropën, por ajo kishte pasur interesa të tjera. Më në fund ajo e kishte dëgjuar zërin e brendshëm të një shpirti që kishte urdhëruar: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!” Jehona ishte shpërndarë kudo nëpër Kosovë. Ndërkaq shpirti i shqetësuar kishte konstatuar me hidhërim: “Si ka mundësi vallë që mendja e njeriut të zbresë në nivelin e bishave?” Mirëpo vdekja e kishte paguar tagrin e vet. Pastaj ishin bashkuar mendja, shpirti dhe vdekja, dhe kishte lindur Demokracia për ta hijeshuar Republikën.
I. Në mëngjezin e 27 janarit të vitit 1990, nga Krusha e Madhe, një fshat ku degëzohen tri rrugë, ato që të shpien në Prizren, Gjakovë dhe Rahovec, një grup i madh njerëzish, burra e djelmosha, ishte nisur për në Rahovec. Rrugës iu kishin bashkuar edhe të tjerë nga fshatrat e afërta, nga Celina (të cilët ngulnin këmbë se janë nisur nga Celina), Nagavci, Hoça e Vogël, Randobrava, Pirana dhe Brestovci. Kërkonin Liri dhe Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Një numër policësh u kishin vajtur mbrapa. Kishin qenë të armatosur dhe të hipur nëpër makina, të cilat nuk i kishin ngarë shpejt, po vetëm sa për t’u qëndruar afër. Dhe sa më shumë që kolona e demonstruesve ishte zgjatur, ata kishin mbetur gjithnjë e më mbrapa.
Në fshatin Brestovc, aty ku rruga fillon të gjarpërojë mengadalë përpjetë për të arritur në Rahovec, ua kishte zënë pritën një togë e policisë speciale, me automjete të blinduara, me rroba speciale anti-plumb, të pajisur me armatim të lehtë këmbësorie. Nga pikëpamja taktike, pozita e tyre kishte qenë më e favorshme. Ndodheshin më lart se demonstruesit, të cilëve, për të bërë përpara në drejtim të tyre, u duhej të ngjiteshin përpjetë. Nga ajo pozitë e lartë ata i kishin vënë re demonstruesit që kërkonin Liri e Demokraci dhe që e kishin menduar Republikën. I kishin pasur si në pëllëmbë të dorës. Atje lart ndodheshin edhe skeletet e disa shtëpive private në ndërtim e sipër që mund t’u shërbenin për zënien e pozitave të shkëlqyera në rast lufte me demonstruesit. Por këta të fundit kishin qenë të paarmatosur. Dhe ashtu të paarmatosur, duarthatë e gjysmëzbathur, kishin kërkuar Liri e Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën.
II. Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit, policia speciale u kishte bërtitur: “Stoj!” Mirëpo këta nuk kishin dashur ta kuptonin “Stojin”, sepse kishin qenë në vendin e tyre, ndërsa urdhërin shqip “Ndalu!” nuk e kishin dëgjuar. Kishin bërtitur gjer në kupë të qiellit: “Liri dhe Demokraci”, – dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës e kishin gjakuar Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i zi i gazit lotsjellës. Gumëzhima e krismave të pushkëve dhe të automatikëve e kishte çarë ajrin. Ky i kishte kthyer në jehonë. Fishkëllima e plumbave dhe zhurmërima e autoblindave e kishin shaktuar një zallahi të përgjithshme nga e cila nuk ishin ndjerë dot as dhembjet prej goditjeve të rënda të çizmeve policore. Policia ishte depersonalizuar, ishte shndërruar në pushtet. Ndërsa pushteti në shënjestër. Ishin vrarë pesë vetë, ndonëse thoshin katër, dhe ishin plagosur nëntëmbëdhjetë të tjerë.
III. Dhe dëbora ishte skuqur. Aty ku s’kishte pasur borë, dheu ishte përzier me gjakun e tyre. Dita e janarit ishte përgjakur, ndërsa dielli kishte bërë sehir. Ngadalë kishte filluar të skuqej edhe ai. E kishte parë dheun e ftohtë të dimrit të përzier me gjakun e nxehtë të trimave dhe ishte fshehur pas një reje. S’kishte dashur ta besonte zallahinë që po ndodhte mbi tokë, por ajo kishte ndodhur. Vdekja ishte dukur e palogjikshme, por ajo e kishte pasur kuptimin e vet: e vdiste një realitet politik për ta lindur demokracinë. Mirëpo dielli megjithatë ishte skuqur ditën e katrahurës mbi dhe, atëherë kur në qiell fluturonin predhat për t’u ngulur më pas në trupin e njeriut. “MANTRA MË THOSHTE”, -kishte thënë Bapuja në një kohë dhe në një vend të largët, por që tani, si njëra, ashtu edhe tjetra, dukeshin njësoj të afërt – “BËJE OSE VDIS!”: “BESATOHUNI ME ZOTIN DHE ME NDËRGJEGJEN TUAJ SI DËSHMITARË SE NUK DO TË QËNDRONI TË QETË DERISA NUK DO TA ARRINI LIRINË, DHE SE DO TA JEPNI EDHE JETËN DUKE E KËRKUAR LIRINË. AI QË E HUMB JETËN E TIJ DO TA FITOJË ATË, NDËRSA AI QË E KËRKON SHPËTIMIN E JETËS, DO TA HUMBË ATË. LIRIA NUK ËSHTË PËR QYQARËT DHE AS PËR FRIKACAKËT” (M.K.Gandi, My Non-Violencë, Navajivan Publishing House, Ahmedabad, 1960, f.195). Këta djem, në fshatin Brestovc të komunës së Rahovecit, e dhanë jetën për ta fituar atë. Nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për Bapunë, por njësoj e kishin kërkuar lirinë dhe demokracinë dhe e kishin gjakuar Republikën. Dhe njësoj kishin mbetur të pavdekshëm.
IV. “Bacë, -më tha Afrimi, vëllai im që për pak sa nuk ishte vrarë edhe ky (e kishte penguar setra), -u vra Halimi, kushëriri ynë, djali i bacës Malush”. I shikoja syzat e tij prej xhami të trashë. Prapa tyre sytë i dukeshin të palëvizshëm, por dukej se ishte i shqetësuar me themel. Nëna, e bërë asht e lëkurë nga brenga, rrinte e palëvizshme, si një mumje. Vite më parë, më 1984, po në këtë mënyrë ia kishin kumtuar vrasjen e djalit të të vëllait, të cilin e kishte rritur vetë, pasiqë familja i ishte shuar, prandaj atë e kishte trajtuar si djalin e saj të katërt, si shpresë të vetme për ripërtëritjen e familjes së saj, dikur shumanëtarëshe. Mirëpo ai kishte qenë pa fat. E kishin vrarë në moshën 34 vjeçare, pa lënë asnjë pasardhës pas vete, dhe kjo fatkeqësi e kishte tretur trupin e nënës sime. E vranë kur unë me Afrimin ndodheshim në burg, mbase sepse nuk deshën të kisha edhe një krah të djathtë, për ta bërë edhe pajtimin pakëz më vonë me shantazh, duke e frikësuar nënën se do t’ia vrisnin edhe djalin. “Muhametin? -kishte murmuritur ajo (se Muhamet e kishte pasur emrin), –po Muhameti është vrarë qe 6 vjet”, -kishte vazhduar ajo me vete, me gjysëm zëri, pa lëvizur, si një mumje. “Jo nënë, por Halimi i bacës Malush”, -tha Afrimi. “Po bir, edhe Muhameti, edhe Halimi”, -fliste ajo gjithnjë me veten. “Është vrarë edhe shoku im, Nesimiu, djali i bacës Xhemail nga Nagavci”, -vazhdoi Afrimi. E shikoja nënën. Dukej e përhumbur dhe vetëm pëshpëriste: “Halimi, Nesimiu… po edhe Muhameti është vrarë biri im”.
“Po nënë, -e dëgjova veten duke thënë, -edhe daja është vrarë, por para 6 vjetësh, e jo tash.” Por ajo nuk po më dëgjonte. Dhembja që kishte qenë e ndrydhur për 6 vjet, tani po i shpërthente me tërë intensitetin e saj të pandalshëm. Kishte qëndruar si një mumje, por tani buzët nisën t’i dridheshin dhe nuk i kontrollonte dot. Krahërori i hajthëm i nënës sime të stërvuajtur u mblodh. Ajo u bë kruspull. Isha dëshmitar i materializimit fizik të dhembjes që e synonte daljen nga shtrofka e thellë e shpirtit. Nesimiun e njihja si një aktivist të flaktë e të pakompromis për republikën. E njihja edhe babain e tij, Xhemailin. Së bashku me babain tim, si pleq që i kishte afruar si fati i përbashkët, ashtu edhe mosha, i kishin vënë trastat mbi shpinë, pastaj i kishin kapur edhe valigjet, dhe ishin nisur për rrugë, për t’i kërkuar bijtë e tyre nëpër burgjet e Jugosllavisë. “Merr vesh, ti, Nazyf, biri im për pak sa nuk më sikterisi”, -kishte thënë Xhemaili. “Mirëpo ti ke dashur t’i flasësh serbisht”, -ia kishte kthyer babai im, kur i kishin kujtuar çastet e hidhura nga vizitat nëpër burgje. Dhe pastaj përçafoheshin. Djalë i vendosur ishte Nesimiu. Tani qenka vrarë. Me ta marrë lajmin, babai i tij Xhemaili ishte përçafuar me babain tim Nazyfin. Ia kishin plasur vajit mu në mes të odës së burrave dhe pastaj ishin larguar që të vajtonin në vetmi. Mirëpo vetëm më vonë do të ndëgjoja për këto skena.
Tani po e shikoja nënën. Ajo akoma po pëshpëriste me vete. Akoma po i dridheshin buzët dhe akoma po qëndronte si mumje, por tani ulur galiç dhe e bërë kruspull. Dhembja e kishte mbështjellë si bolla. Një gur i heshtur që dridhej. Një gur që dridhet dhe nuk flet. U llahtarisa nga kjo pamje, por u përmbajta. “O zot, -thashë me vete, -ç’kanë hequr këto nëna që t’i rrisnin bijtë e tyre që tani po ua vrisnin!” Mendova që të kacafytesha me mendimet e Bapusë, ashtu sa për ta larguar trishtimin, por Afrimi nuk po heshtte. E dëgjova sërish zërin e tij dhe mu bë se e kishte fituar një tingëllim metalik, të thekshëm, të pamëshirshëm, depërtues. Mu duk se do të më pëlciste timpani i veshit, që edhe ashtu nuk e ndjeja mirë, por nuk më pëlciti. “Eshtë vrarë edhe Agroni, djali i Haxhi-Rizës nga Celina. Edhe Hilmiu, djali i Rexhepit nga Hoça e Vogël, si dhe janë plagosur shumë të tjerë.” Këtë të fundit nuk e njihja, por e njihja babain e Agronit, Haxhi-Rizën. Kishin qenë të afërt me nënën time familjarisht, ndërsa vdekja kishte qenë shoqëruesja e tyre e kahmotshme. Gati sa nuk e shquanin dot nga jeta, sepse e kishin pasur mysafire të shpeshtë. Mirëpo kjo tani nuk kishte ndonjë rëndësi. Dëshiroja ta vëzhgoja edhe më tej nënën, por ajo kishte vajtur në dhomën e prindërve. Ashtu e kruspullosur, kishte rrëshqitur e padukshme si një hije, ose ndoshta thjesht ishte rrokullisur në dhomën e saj, dhe atje, në heshtje të plotë, do të ketë dënesur me tërë thelbin e shpirtit që i kishte mbetur. Nëna ime nuk e duron dot vdekjen, mirëpo ajo kishte qenë mysafire e shpeshtë dhe pa ndonjë rend në trojet tona. Nënat dhe Vdekjet tek shqiptarët urrehen në mes tyre më shumë se kudo në botë, ngase nga ajo rëndom kishin pësuar nënat. Ato pësojnë kudo, por tek shqiptarët kjo kishte qenë e veçantë. Për këtë shkak isha përpjekur ta kuptoja arsyen e kësaj veçantie, por kisha arritur që vetëm ta kapja disi me intuitë dhe nuk kisha gjetur dot fjalë për ta shprehur.
V. Pastaj i kisha vizituar kufomat. I kisha prekur një nga një dhe vdekja gjithkund kishte qenë njësoj: hijerëndë dhe e pazbërthyeshme, disi e rëndomtë, por kudo jashtë rendit, e pazakonshme, ireale, e madhe, por e ftohtë. Shikoja përreth dhe e hetoja se ajo ishte futur në shpirtin e njerëzve. I kishte shqetësuar gjer në palcë dhe kishte tentuar që të barazohej me jetën, por akoma nuk e kishte arritur atë shkallë. Sidoqoftë, kishte pasur aq shumë vdekje brenda një çasti të vetëm saqë kishte humbur rendi i gjërave. Tani jeta dhe vdekja loznin valle në shpirtin e njerëzve dhe fytyrat ishin zbehur. Ishin bërë dyll të verdha. A thua jeta dhe vdekja ishin bërë një? Këtë nuk mund ta dija.
Dhe mu kujtua plaka e fshatit Kakunde në Angola, nga viti 1972. Nuk ua merrja vesh gjuhën po ua zbërtheja fytyrat. Kolonialistët portugezë ia kishin vrarë djalin (fëmijë), të cilit pastaj ia kishin fërguar gishtërinjtë e dorës. Fytyrat e zeza të zezakëve ishin zverdhur dhe mendja për disa çaste ishte zhvendosur nga shtrati i saj i natyrshëm. Plaka ishte përpjekur t’i refuzonte gishtërinjtë e fërguar të të birit, por kolonialistët kishin ngulur këmbë. Në këtë lojë morbide me vdekjen kishte pësuar mendja e të gjallëve. Në këtë mënyrë jeta dhe vdekja ishin bërë baras. E para nuk kishte pasur vlerë as dhe një qindarkë më tepër se sa e dyta dhe ia kishte pasur lakmi së dytës.
VI. Më duhej të flisja. Doemos më duhej të flisja në homazhin e fundit, por fjalët e kishin humbur kuptimin. Më dukej se fjalët nuk mund ta kapnin dot kuptimin. Kuptimi ishte zhvendosur prej tyre. Ishte larguar dhe bënte një ekzistencë të veçantë, jashtë kallëpeve ku mund ta vinin fjalët. Kështu që edhe kuptimi, edhe fjalët, bënin ekzistencë të veçantë, secili për vete. Dëshirova ta pyesja Behajdinin nëse mund të më ndihmonte ta bashkoja disi kuptimin me fjalët, por edhe ai ishte larguar. Nuk po e gjeja dot. Pastaj befasisht mu kujtua Gabriel Garcia Markesi. Një protagonist i tij në “100 vjet vetmi” vazhdimisht ishte marrë me zbulimin e së zbuluarës. Mbase e kishte kërkuar shijen dhe kuptimin e zbulimit ose të zbulimeve. Kjo nuk ishte e vërtetë, por në atë çast nuk e dija se përse nuk ishte e vërtetë. Më vonë, gjersa po i rregullonin dritat e traktorit për të ndriçuar errësirën e varrit të hapur, e kisha kuptuar më në fund Kadarenë. Të tërin. Edhe ironizimin e stërholluar aziatik të vdekjes në mendjen e Tunxh Hatait, edhe indiferencën cinike ndaj vdekjes të Kus Babait. Dhe nuk më kishte pëlqyer. Atë çast nuk e gjeja dot nëse kjo e fundit kishte qenë pjellë e aziatizimit të mendjes evropiane apo e evropeizimit të mendjes aziatike.
VII. Deklarova se Halimin po e përshëndesnin shokët e tij të vdekjes duke menduar se vdekja kishte qenë e barazuar me jetën dhe njësoj mund ta përshëndesnin edhe të gjallët që e ndjenin vdekjen në jetën e tyre, por këtë nuk e kisha thënë. Më ishte dukur e tepërt. Për një kohë kisha heshtur, por të gjallët tani kishin nisur të dënesnin me zë. Dënesja mbi varrin e Halimit ishte diçka jashtë rregullave, por mua më ishte dukur e natyrshme. Pastaj u kisha shpjeguar:
– “E vranë sepse nuk e besoi që mendja e njeriut të kishte zbritur në nivelin e bishave; sepse e kërkoi dialogun dhe sepse nuk kishte besuar që rruga për në Evropë të kishte qenë e shtruar me plumba.
– E vranë sepse deshi që Unin e popullit të vet ta barazonte me Unin e të tjerëve dhe sepse nuk deshi të besonte që mendja e njeriut mund të provonte ndalimin e rrugës së progresit dhe të qytetërimit.
– E vranë, por vdekja e kishte nderuar jetën e popullit të tij, ndërsa populli po ia kthente nderimin me nderimin e vdekjes së tij.”
VIII. Të nesërmen, mijëra të rinj, gra, burra, pleq e fëmijë, parakalonin rrugëve të fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës. I kishin ngritur të dy gishtërinjtë në formë të shkronjës V. Vdekja ishte mbjellë nëpër të gjitha anët. Kosovën e kishte mbuluar tymi, të shtënat, autoblindat. Por rrezet e diellit e kishin depërtuar angushtinë. Çdo gjë kishte marrë fund. Demokracia ishte vetëlindur dhe e kishte hijeshuar Republikën. Më në fund fjalët e kishin gjetur kuptimin dhe tani e tutje kuptimi dhe fjalët do të bashkëjetonin.
Rruga Press