BallinaLajme

30 vjetori i ‘Ditës së Rinisë’, reagojnë Rama, Basha dhe Kryemadhi: E duam Shqipërinë si gjithë Europa

Sot është 30 vjetori i “Ditës së Rinisë”, ditë që shënon kalimin nga diktatura në demokraci. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Për këtë ditë kanë reaguar figurat e politikës në vendin tonë.

Edi Rama: 30 VJET janë shumë në rrugën e një njeriu, por jo edhe aq në rrugën e historisë së një vendi e sidomos kur kjo është koha e kalimit nga një diktaturë ekstreme, në një demokraci funksionale. Bëhen plot 30 VJET sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite.

Lexo më shumë  Tentakulat e mafies shqiptare, në mediat ndërkombëtare

Monika Kryemadhi: 30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane.

Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri.

Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre.

Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi! Është koha e tyre! Le t’i dëgjojmë!

Lulzim Basha: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimit. E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan. Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa!

YouTube player