30 mijë trupa, 50 anije e 27 shtete pjesëmarrëse, NATO do të fillojë nesër stërvitjen ushtarake në Norvegji
Rreth 30 mijë ushtarë, 200 avionë dhe 50 anije nga 27 shtete do të vendosen në Norvegji për stërvitjen më të madhe që përfshin trupat e NATO-s këtë vit.
Operacioni i koduar “Cold Response 2022” (Pergjigjja e Ftohtë 2022) do të nisë të hënën më 14 mars. Stërvitja ushtarake ishte planifikuar prej kohësh të ndodhte, raporton BBC, por përballë pushtimit të Ukrainës nga Moska, kjo stërvitje merr një vlerë më të madhe për vetë faktin se nuk është shumë larg kufirit me Rusinë.
“Përgjigjja e Ftohtë është një ushtrim dyvjeçar, me pjesëmarrjen e 27 kombeve aleate të NATO-s”.
Duke nisur më 14 mars, manovrat do t’u mundësojnë vendeve perëndimore të përmirësojnë aftësitë e tyre luftarake në klimën e ftohtë të Norvegjisë, duke përfshirë në Arktik, në tokë, në det dhe në qiell shkruan AFP
“Kjo stërvitje është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Norvegjisë dhe aleatëve të saj “, tha për AFP ministri norvegjez i mbrojtjes Odd Roger Enoksen.
Ndërkohë drejtori i departamentit evropian të Ministrisë së Jashtme ruse, Sergei Belyayev deklaroi se anëtarësimi i mundshëm i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike dhe do të kërkonte që Rusia të merrte masa hakmarrëse.
“Është e qartë se anëtarësimi i tyre në Aleancë, e cila është kryesisht një organizatë ushtarake, do të sillte pasoja politike dhe ushtarake që do të kërkonin nevojën e rishikimit të marrëdhënieve me këto vende dhe të marrin masa hakmarrëse”, tha Belyaev për Interfax.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”.
Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.
Luftime të ashpra po zhvillohen në periferi të Kievit. Inteligjenca britanike tha se një korpus i forcave ruse gjendet 25 kilometra larg qendrës së Kievit.
Zyrtarët ukrainas kanë shprehur frikën se Rusia po përgatitet të nisë një sulm të madh ndaj kryeqendrës ukrainase.
Rruga Press