200 milionë euro më shumë buxhet për komunat vitin e ardhshëm, thotë Kurti
Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e 142-të me radhë, në të cilën ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka thënë se para dy javëve Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026.
Ai tha se buxheti për komunat është rritur mbi 35% për vitin e ardhshëm, transmeton Zeri.info.
“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë eurove, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, ose rritje mbi 35%”.
“Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë eurove, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.
Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, ose 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, ose 37 milionë euro”, tha Kurti në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë.
Rruga Press