17 ditë mes flakëve! Rrezikohet nga ZJARRI Parku i Llogarasë, ndërhyrje nga ajri në Dukat, Karaburun, në Majën e Rrunës, Kukës dhe Voskopojë
Prej 17 ditësh Shqipëria është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme nga zjarret.
Parku i Llogarasë është në rrezik ditën e sotme pasi flakët që kanë përfshirë Karaburunin po i afrohen. Zjarri në Majën e Rrunës në Kukës vijon të jetë ende jashtë kontrollit, sidomos në pjesë sipër tunelit të Kalimashit ku ndërhyrja është e vështirë. Gjatë ditës së sotme pritet që helikopteri të ndërhyjë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Zjarri në drejtimin të vendit të quajtur Laku i Thive është aktive. Edhe në drejtimin sipër Tunelit Kalimashit me gjithë punën e bërë nuk është bërë e mundur izolimi dhe futja nën kontroll e këtij drejtimi.
Përmirësim të situatës ka shfaqur zjarri në pyjet e Voskopojës, ku zjarri i rënë mbrëmë është drejt shuarjes. Rënia e intensitetit të flakëve ka ardhur edhe si pasojë e temperaturave të ulura gjatë natës. Në terren janë punonjës, zjarrfikës dhe forca të armatosura që kanë nisur punën që në 5 të mëngjesit, ku ka ende dy vatra të vogla aktive një në pyjet e Krushovës dhe një në fshatin Gjonomadh.
Në Gjonomadh, zjarr i cili ka rënë qysh ditën e djeshme, janë 10 trupa zjarrfikëse të cilat janë duke u përpjekur për të izoluar flakët.
Edhe në fshatin Gjorgos të Fier situata është përmirësuar ndjeshëm ku flakët janë vënë në kontroll dhe po mundohen të shuhen nga zjarrfikësja.
Vatër aktive ka edhe në Corush të Mallakastrës, por pa probleme të mëdha.
Rruga Press