Fjala e Osmanit përballë bëmave të Ramës
Editorial nga Rruga Press
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Vjosa Osmani mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Nga fjalimi i saj kemi veçuar disa pika të rëndësishme:
1. Vjosa Osmani: Shqipëria është ëndrra jonë e përbashkët. Ne e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh në një regjim shtypës e të dhunshëm, në të cilin rrënjët etnike janë përdorur si argument i mjaftueshëm për të qenë të shtypur e të vrarë. Ne e kemi përjetuar këtë dhe dëshmojmë për këtë. E kemi detyrë kombëtare, por mbi të gjitha detyrë njerëzore e morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri për të gjithë rajonin tonë, fillimisht ta lexojmë, ta kuptojmë e ta mësojmë mirë kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e si Shqipëri për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën antishqiptare dhe përpjekjet për të fshehur krimet.
Koment: Për KM e Shqipërisë, e vetmja mundësi që të bëhet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është duke u bashkuar në projektin Jugosllavia 2.0, i ashtëquajtur Mini Shengeni Ballkanit. Rama po na thotë që nuk mund të bashkohemi pa lejen e Serbisë, pa përfituar diçka Serbia. Pra ne mund të bashkohemi sipas Ramës, veç atëherë kur bashkimi jonë do i sjellë përfitime Serbisë dhe ne e dimë se çfarë i sjell përfitime shovinizmit serb, paguhet gjithmonë me gjakun e shqiptarëve.
2. V.O: Ne jemi të vendosur të dialogojmë me Serbinë vetëm për njohjen e ndërsjelltë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur e pranuar paprekshmërinë e territorit tonë. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj e as të bëjë konçensione të tjera. Për politikën gjenocidiale që kishte ndaj nesh, Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje, të dënohet e jo të shpërblehet.
Koment: Ndërkohë që Hashim Thaçi ishte i përfshirë në projekte për cënimin e sovranitetit territorial të Kosovës, në atë që ai e quante “korrigjim i kufinjve”, “kompromis i dhimbshëm” apo “shkëmbim territoresh”, Rama i dilte në mbështetje duke shprehur se kush e quan Hashim Thaçin tradhëtar, është një gomar.
3. V.O: I kam bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tonë, ato do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë. Askush në trojet shqiptare nuk duhet ta ketë preokupim sesi t’ia shpëtojë fytyrën Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është e dëshmuar në politikën gjenocidiale që kanë ndjekur ndaj nesh.
Koment: Ndërkohë që në bankën e të akuzuarve për kolektiv kriminal po gjykohen anëtarë të shtabit të UÇK-së, PS me anë të Taulant Ballës, shefit të grupit parlamentar të kësaj partie, ngjizi Komisionin për hetim të UÇK-së bazuar tek raporti i Dick Martyt. Pra në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë do duhej të kalonte rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, PS-ja e Edi Ramës hedh dhe një dyshim më shume mbi pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së, a thua se ndonjë politikan serb ia ka kërkuar këtë nder KM të Shqipërisë. Apo vërtetë ia ka kërkuar?
4. V.O: Të rinjtë tanë në Kosovë e në Shqipëri janë kapitali ynë më i çmuar.
Koment: Para pak ditësh, në Tiranë u vra i ri Klodian Rasha nga forcat e Policisë së Shtetit. Si KM Rama ashtu dhe Ardi Veliu janë munduar të manipulojnë vërtetësinë e ngjarjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka dhënë tre deklarata kontradiktore me qëllim manipulimin e opinionit publik. Pra është tentuar të inkriminohet viktima pa pasur akoma ndonjë provë nëse arma për të cilën flitej, ishte e tija apo jo. Sipas ekspertizës arma nuk ishte e Klodianit. Gjithashtu KM Rama akoma pa u dhenë gjykimi final i ngjarjes nga Gjykata, ka nënshkruar një VKM ku i siguronte familjes një pension mujor. Në këtë VKM vrasja e Klodianit cilësohet vrasje aksidentale. Vallë pse nxitojnë Rama dhe Veliu? Po për Ardit Gjoklajn, minorenin e mbytur nën makineritë e landfilldit të Sharrës, pse nuk ka asnjë proces hetimor për të dënuar fajtorët? A thua mendon dhe Rama se rinia është kapitali ynë më i çmuar?!
5. V.O: Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit evropian, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi midis vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare.
Koment: Ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova do duhej të ishin në implementimin e politikave për integrim politik, ekonomik, arsimor etj. KM Rama firmosi konçensionin “Kastrati-Salillari” të traut në Rrugë e Kombit. Ndërkohë që duhej të ishte duke u planifikuar heqja e doganës së Morinës, Rama e përforcon ndarjen duke shtuar edhe një tarifë. Si qëndron vendosja e traut në projektin Mini Shengen? A e vendosi Rama traun sepse shpreson se do kalojnë më shumë kamionë të Serbisë? Apo traun do e heq veç nëse Mini Shengeni arrin të bëhet realitet, që të mos paguajnë kamionët e Serbisë? Vjosa, mos e prek Ramën te Vuçiçi dhe te oligarkët, se të mban inat!
6. V.O: Gjyshi im ka përjetuar tortura të tmerrshme dhe ka vdekur në burgjet e regjimit serb, ndërsa vëllai i gjyshit, Sylejman Vuçiterrna, Kryetari i Akademisë Ushtarake në Shqipëri u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës.
Koment: Vjosa vendos një paralelizëm mes vuajtjeve dhe vrasjen e shqiptarëve në burgjet e serbisë, me përndjekjen dhe vrasjen e shqiptarëve nga regjimi i Enver Hoxhës. E ndërkohë që Vjosa e shpreh këtë fakt në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i këtij Kuvendi është Gramoz Ruçi, asokohe ministër i brendshëm i regjimit të Enver Hoxhës dhe urdhërues i vrasjes së katër dëshmorëve të kombit, që protestonin kundër atij regjimi.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara