BallinaKuriozitete

11 kuriozitete interesante që ndoshta nuk i dini për Beethoven

Në 250 vjetorin e lindjes së Ludwig van Beethoven, po ju sjellim 11 fakte interesante për gjeniun që revolucionarizoi historinë e muzikës.

Kur ka lindur? Ludwig van Beethoven lindi në Bon më 15, 16 apo 17 dhjetor? Burime të ndryshme nuk japin një datë të saktë, por të gjithë bien dakord me atë të pagëzimit, që është 17 dhjetor 1770. Nuk është rastësi që Google, në 2015-ën, e kujtoi atë në këtë datë me një Doodle, për të shenjuar 245 vjetorin e lindjes së tij. Provincial, që vinte nga Bon, ai ishte arsimuar nga babai i tij, një muzikant i zellshëm i oborrit. Fëmijë jashtëzakonisht i talentuar, ai iu nënshtrua një disipline të ngurtë, e cila i kushtëzoi tërë jetën e tij.

Në foto, pllaka në vendlindjen e tij në Bon

Përbindësh i talentit. Ludwig van Beethoven në këtë foto është portretizuar në moshën 13-vjeçare, kur arriti të njihet si artist pavarësisht defekteve të tij të karakterit. Ai kurrë nuk kishte qenë një bukurosh. Në rini atë e quanin Der Spagnol (spanjoll) për shkak të ngjyrës së fytyrës së tij. Ai ishte i shkurtër, nuk i kalonte të një metër e gjashtëdhjetë e pesë centimetra dhe ishte shpatullgjerë. Ai kishte një kokë të madhe dhe flokë të pabindur, dhëmbë të dalë, një hundë të vogël të rrumbullakosur dhe pështynte kudo. I ngathët në lëvizjet e tij, ai vazhdimisht ishte i çoroditur dhe thyente objektet që prekte. Ai nuk mësoi kurrë të kërcejë, ndërsa pritej gjithmonë kur rruhej.

Ludwig van Beethoven në moshën 13-vjeçare

Karakter i vështirë. Ai ishte i zymtë dhe i dyshimtë, i prekshëm, mizantrop dhe i bindur se të gjithë donin ta mashtronin. Ai nuk kishte sjellje ose mënyra magjepsëse, gjithnjë harronte gjithçka, kishte zemërime të pakuptimta dhe nganjëherë kishte marrëdhënie korrektësie të dyshimtë me botuesit. Një beqar, që jetoi në një konfuzion të papërshkrueshëm, pasi nuk kishte asnjë shërbëtor të gatshëm të toleronte nervozizmin e tij.

Në foto, Beethoven Portret nga Joseph Karl Stieler (1820)

Muzika i dilte nga zemra. Gjithmonë është spekuluar për sëmundjet e shumta që kompozitori do të kishte vuajtur në rini, nga astma te koliti, nga sëmundja e veshkave deri te ceroza e mëlçisë. Dhe historianët kanë menduar se si sëmundjet fizike të muzikantit mund të kishin ndikuar në artin e tij. Hipoteza e 3 studiuesve është se ritmet e disa prej kompozimeve të tij më të famshme dhe prekëse organike, kanë qenë ndikuar nga aritmitë kardiake nga të cilat kompozitori ndoshta vuante.

Ishte vërtet i shurdhër. Në të tridhjetat, ai deklaroi se kishte vështirësi të kuptonte fjalët e një personi që fliste me zë të ulët. Përveç kësaj, për të dëgjuar aktorët në teatër, ai u detyrua të qëndronte pranë orkestrës. Sidoqoftë, shurdhimi në rritje, e çoi atë në një gjendje trishtimi të thellë dhe në vitin 1802 në një përpjekje për vetëvrasje. Për shkak të problemeve të dëgjimit, Beethoven u izolua në mënyrë të vazhdueshme nga njerëzit përreth tij, duke rrezikuar shumë marrëdhënie shoqërore dhe emocionale. Në 1819, tetë vjet para vdekjes së tij, ai ishte plotësisht i shurdhër. Pavarësisht kësaj, Beethoven vazhdoi të kompozonte. Simfonia e Nëntë e famshme, u shkrua në 1824.

Në foto, Hapësira dhe Koha, në nderim të Beethoven nga William Girometti 1974.

Gjeniu dhe rregullsia. Gazetari amerikan Mason Midnight Currey mblodhi detaje biografike të 168 artistëve, duke treguar se të gjithë, madje edhe ata që konsideroheshin të pabindur dhe instiktivë, ndoqën një program specifik. Stili i jetës së Ludwig van Beethoven, veçanërisht vitet e fundit, ishte shumë i rregullt. Por në periudha të tjera Beethoven kompozonte madje deri në dy të mëngjesit. Gjithmonë duke ndjekur një orar rigoroz.


Gjeni falë sifilizit? Sipas studiueses Deborah Hayden, sifilizi me të cilin mund të ishin prekur shumë personazhe historikë si Abraham Lincoln, Friedrich Nietzsche dhe Oscar Wilde, mund të shpjegonte gjenialitetin ose çmendurinë e tyre. Euforia sifilitike mund të ketë amplifikuar gjenialitetin krijues të Ludwig van Beethoven dhe të shumë personazheve të tjerë të cilët, si ai, ishin prekur nga e ashtuquajtura sëmundje franceze. Teza, e përfshirë në një libër të Hayden, nuk është konfirmuar kurrë. Por studime të tjera tregojnë se Beethoven vuante nga çrregullimi bipolar.

Nuk është një romantik. Beethoven ishte mendimtari më i frikshëm muzikor. Shumë kanë dashur të shohin tek ai urën midis periudhave klasike dhe romantike, por është vetëm një etiketë e përshtatshme, dhe jo shumë e saktë. Në realitet, ka shumë pak romantik në muzikën e tij. “Beethoven nuk fliste gjuhën e romantikëve”, shkroi Harold C. Schonberg. “Ai filloi të kompozonte në traditën klasike dhe më pas shkoi përtej kohës dhe hapësirës, duke përdorur një gjuhë që ai vetë e kishte krijuar. Një gjuhë e ngjeshur, enigmatike dhe shpërthyese, e shprehur në forma të sajuara prej tij”.

Në foto, dirigjenti austriak Herbert (von) Karajan (1908 – 1989) gjatë një prej regjistrimeve të simfonive të Beethoven.

Revolucionar. Karakteristika që e dallonte Beethoven nga të gjithë muzikantët e tjerë që i paraprinë, përveç gjenialitetit dhe forcës së tij të pakonkurueshme, ishte se ai e konsideronte veten artist dhe mbronte të drejtat e tij si artist. Ai ishte një artist, një krijues, dhe për këtë arsye ishte superior ndaj mbretërve dhe fisnikëve. Ai kishte një konceptim revolucionar të shoqërisë dhe ideve romantike rreth muzikës. “Ajo që kam në zemër duhet të dalë jashtë dhe kështu ta shkruaj”, i tha ai dishepullit Carl Czerny, që ndoshta artistë të tjerë nuk do të guxonin kurrë ta thoshin një gjë të tillë.

Vdiq nga plumbi. Në të vërtetë jo. Për disa ishte faji i një vaji të lyer pas një operacioni kirurgjik. Për të tjerët, një kupë nga e cila piu kompozitori. Por cilida qoftë arsyeja, përqendrimi i lartë i plumbit që u gjend në trupin e Beethoven shpesh është përmendur si shkaku i vdekjes së tij në moshën 56- vjeçare. Fakti që helmimi nga plumbi shkakton nervozizëm (kompozitori ishte i njohur për temperamentin e tij), bllokimi i veshkave dhe mëlçisë, ishin simptoma që muzikanti pati në fund të jetës së tij. Por kërkimet nga shkolla e mjekësisë Mount Sinai në New York i kanë hedhur poshtë këto hipoteza. Analiza e niveleve të plumbit në kockat e kompozitorit zbuloi një përqendrim shumë të ulët për të shkaktuar helmim.

Në foto, piktura nga Franz Stober (1827) e cila përshkruan funeralin e Beethoven të 29 Marsit 1827

Letra për të dashurën e pavdekshme. Në vdekjen e Beethoven (Vjenë, 26 mars 1827), shoku i tij Anton Schindler gjeti në një sirtar të fshehtë të tryezës së tij një dokument, të njohur si Dhiata e Heiligenstadt, në të cilën muzikanti rrëfente dëshpërimin për shurdhimin e tij dhe një letër pasioni drejtuar një “të dashure të pavdekshme” të paspecifikuar. Schindler pretendoi se kjo grua ishte Giulietta Guicciardi (1784-1856), një nxënëse e Beethoven. Sonata e famshme e pianos “Në dritën e hënës” (1801) i kushtohet Guicciardi-t. Letra ishte shkruar ndoshta në 1812, kur Juliet ishte martuar prej nëntë vjetësh me Kontin Robert von Gallenberg.

Në foto, varri i Beethoven në Varrezat e Vjenës, ku pushojnë edhe Brahms dhe Schubert.

Rruga Press

YouTube player