13.3% e bizneseve në vend shitën produkte nga faqja e tyre e internetit në 2021
Pandemia dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve kanë nxitur tregtimin e produkteve përmes internetit. INSTAT raportoi se në vitin 2021, 13,3% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 32,2%, pasuar nga akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit me 29,0% dhe shërbime administrative dhe mbështetëse me 26,1%.
Sipas INSTAT, ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune gjatë vitit 2021, përfaqësojnë 98,5% të ndërmarrjeve ekonomike, nga 98,3% që ishte në vitin 2020. Të punësuarit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 27,8% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 27,2% që ishte në 2020. Përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 75,2%, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 62,7%. Nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter për qëllime pune në vitin 2021, 98,4% e tyre kanë akses në internet nga 98,3% në vitin 2020. Të punësuarit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune me akses në internet përbëjnë 26,2% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2021, ndërmarrjet me 250+ të punësuar përdorin 100% kompjuter me akses në internet. Në këto ndërmarrje, 29,9% e të punësuarve përdorin kompjuter me akses në internet.
Në vitin 2021, 98,1% e ndërmarrjeve ka përdorur lidhje fikse në internet, e cila përfshin lidhjet e tipit ADSL, SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP), teknologji kabllore, etj. Përqindja e ndërmarrjeve që kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është 90,5% nga 79,8 që ishte në vitin 2020. Faqja e internetit është përdorur nga nga 45,0% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet nga 44,6% që ishte në vitin 2020. Në vitin 2021, 92,8% të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur katalogët e produkteve ose çmimet e tyre, 38,3% e kanë përdorur për marrjen e porosive, rezervimeve apo pronotimeve online dhe 42,2% e ndërmarrjeve e kanë përdorur për referencë në profilet e medias sociale të tyre.
Përdorimi i software-it për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM) është përdorur nga 24,8% e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021 nga 22,5% që rezultoi në vitin 2020. Shërbimet cloud të cilat i referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapicitete ruajtëse, etj janë përdorur nga 20,7% e ndërmarrjeve që kanë akses në internet nga 18,2% që rezultoi në vitin 2020.
Printimi 3D, i cili i referohet përdorimit të printerave të veçantë nga ndërmarrjet ose përdorimi i shërbimeve të printimit 3D të ofruara nga ndërmarrjet e tjera me qëllim krijimin e objekteve fizike tre-dimensionale duke përdorur teknologjinë digjitale, është përdorur nga 6,0% e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021, nga 5,5% që rezultoi në vitin 2020. Media sociale (Facebook, Linkedln,Twiter, Youtube, Twiter, Pinterest etj.) është përdorur nga 69,0% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 66,6% që ishte në vitin 2020. Interneti i gjërave (pajisje ose sisteme të ndërlidhura, shpesh të quajtura pajisje ose sisteme “të mençura”) është përdorur nga 36,4% e ndërmarrjeve.
Në vitin 2020, si pasojë e pandemisë COVID-19:
- 27,6% e ndërmarrjeve rritën numrin e takimeve në distancë të kryera nëpërmjet Skype, Zoom, MS Teams etj.
- 19,2% e ndërmarrjeve rritën numrin e personave të punësuar që kanë akses në distancë në sistemin e postës elektronike të ndërmarrjes,
- 13,5% e ndërmarrjeve rritën numrin e personave të punësuar që kanë akses në distancë në sistemet e TIK-ut të ndërmarrjes përveç postës elektronike./Monitor
Rruga Press