Lajme

12 orë diskutime për ta rrëzuar Abazoviqin, kush votoi pro dhe çfarë ndodh tani

Pas dymbëdhjetë orësh diskutim, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit.

Qeveria është rrëzuar me 50 vota për dhe një kundër.

Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Tani e tutje qeveria e Abazoviqit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.

Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim.

Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviqi u përpoq ta ndalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi.

Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviqi tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje.

Lexo më shumë  “Gazetarët u sulmuan nga figurat politike”- Nga liria e shprehjes, dhuna ndaj grave dhe kampi i refugjatëve, Shqipëria për "faqe të zezë" edhe nga Amnesty International

Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj.

“Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviqit dhe Millo Gjukanoviqit”, ka shkruar ai në rrjetin Telegram pas rrëzimit.

Abazoviqi ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.

Abazoviqi kryeministër për 115 ditë

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Dritan Abazoviqi ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

Në qeverinë e mëparshme të kryetarit të partisë konservatore proserbe, Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviqi u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.

Çfarë ndodh tani?

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani: Gjermania është aleate strategjike në rrugën euroatlantike të Kosovës

Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.

Debati në parlament

Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.

“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviq.

Në shtator votohet shkarkimi i kryetares së Kuventit të Malit të Zi

Më 2 shtator, Kuvendi i Malit të Zi do të vendosë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.

Kjo iniciativë është e Frontit Demokratik dhe Demokratëve opozitarë.

Në iniciativë thuhet se “kryesimi i Gjuroviqit është shënuar me shkelje të vazhdueshme të akteve që rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Malit të Zi”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *