111 vjetori i Forcave të Armatosura Shqiptare
Ushtria kombëtare u krijua vetëm vetëm gjashtë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, sot Forcat e Armatosura mbushin 111 vjet. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Luftës e drejtuar nga Mehmet Dërralla.
Isa Boletini, ishte ai që propozoi Mehmet pashë Dërrallën të zgjidhej ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemal Bej Vlora. Mehmet pashë Dërralla në moshën 69-vjeçare nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë kombëtare shqiptare. Ushtarakët që mbushën radhët e strukturave të Ministrisë së Luftës dhe të “shtabit Madhnuer”(Shtabit të Përgjithshëm ose Madhor) ishin 70 oficerë e rreth 155 nënoficerë që i përkisnin shkollave ushtarake që ish-ushtrisë osmane. Teksa shënohet kjo ditë të rëndësishme, qindra ushtarakë aktualisht ndodhen jashtë vendit në misione të ndryshme të drejtuara nga, NATO, OKB dhe BE të angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë.
Duket së vitit 2024 do i gjejë Forcat e Armatosura të pajisur me sisteme të teknikës dhe të armatimit bashkëkohor, me mjete të ndërveprueshme dhe të afta për të realizuar operacione të një spektri të gjerë në një kohë kur mjedisi i sigurisë në kontinent është i brishtë pas Agresionit rus në Ukrainë.
Pas më shumë se 14 vitesh anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, vitin e ardhshëm Shqipëria për herë të parë do të financojë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe sigurinë duke përmbushur kështu zotimin e saj.
Në bashkëpunim me amerikanët do të krijohet sistemi i mbrojtjes kundërajrore i quajtur SHORAD. Mbi 95% e bazës ajrore taktike e Kuçovës ka përfunduar teksa po projektohet krijimi i Portit Ushtarak të Porto Romanos, kjo do të thotë një gjurmë tjetër e rëndësishme e pranisë së NATO-s.
Dy helikopteret e pare modeli i fundit, Blackhawk Uh-60M vijnë në javen e pare të janarit 2024 ndërsa paketa e parë e dronëve Bayraktar tip TB-2 deri në qershor, personeli që do t’i drejtojë ka nisur trajnimin. Në total, programi i investimeve të mbrojtjes deri në vitit 2028 arrin në gati 800 milionë euro.
Në këtë ditë, nuk ka munguar mirënjohja për njerëzit me uniformë që me përkushtim dhe sakrifica i shërbejnë vendit si pjesëtarë të FA-së. “Faleminderit që mbani lart me trimëri flamurin dhe emrin e Shqipërisë! Shkruan Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare Bajram Begaj. “Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO, ku do të vazhdojmë të jemi një forcë e fortë në skenën ndërkombëtare” shkruan ministri i mbrojtjes Niko Peleshi i cili e shoqëron postimin me një operator special duke u hedhur me parashutë teksa valëvit flamurin shqiptar.
Rruga Press