Art & Kulturë

110 vjetori Migjenit, “shkrimtari i mjerimit”!

Migjeni, emri i vërtetë Millosh Gjergj Nikolla, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

Ai lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 – 1925 u shkollua në Tivar. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks “Jan Shën Teologu” po në atë qytet.

I ka dhënë rëndësi gjuhëve frëngjisht e rusisht, me të cilat lexonte drejtpërdrejtë autorët më të vështirë. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”.

Me atë “Dëftesë Pjekurie” e shpalli kandidat të aftë për shërbim kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në fakultetet universitare. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka.

Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat “Iliria”, “Bota e re” etj.

Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me Lazër Radi, gjë që do frymzonte këtë të fundit t’i kushtonte një libër kujtimesh.

Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij. Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë.Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij.

Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”).

Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të mirë e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar.

Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.

Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze.

Vargjet e poezisë “Poema e mjerimit” duken sikur edhe sot janë aktuale në Shqipërinë tonë moderne.

Poema E Mjerimit

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,

kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi,

kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta,

që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita,

edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin,

të tan jetën e vet derisa të vdesin.

Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare (“Të çelen arkapijat”, “Studenti në shtëpi”).

Në “Studenti në shtëpi” vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Në skicat “Luli i vocërr” dhe sidomos te “Zeneli”, shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore.

Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore (“Mollë e ndalueme”). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia etj, janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit.

Shkrimet e tij lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.

Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij.

Në 26 Gusht 1938 vdiq në një spital të Torinos nga një sëmundje e rëndë e mushkërive.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *