Art & Kulturë

105 vjetori i Musine Kokalarit/ Familja i dhuron Arkivit dorëshkrimet e rralla

Një material dokumentar prej 3112 fletësh i shkrimtares etnografes dhe veprimtares politike, Musine Kokalari, u mor në dorëzim nga Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Në ceremoninë e aktit të dhurimit, folën drejtori i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe Bibika Kokalari, e afërt e intelektuales së ndjerë. Kreu i DPA-së bëri të ditur se mes dokumenteve të dhuruara, gjenden dorëshkrime të rralla dhe të pabëra publike të Kokalarit, një prej personaliteteve publike më të rëndësishëm të kulturës dhe të shkencës shqiptare. “Dua të falenderoj veçanërisht Bibika Kokalarin.

E kuptoj që për pasardhësit është shumë e vështirë të ndahen nga këto dokumente, por nga ana tjetër, ndarja nga to vjen nga nevoja e madhe për t’i shpëtuar. DPA-ja i ka kushtet e ruajtjes së dokumenteve dhe mundëson që Musine Kokalari përmes dorëshkrimeve të saj të jetë e qasshme tek çdo studiues dhe rrjedhimisht të mund të përhapen idetë e saj”, u shpreh Bido. Znj. Bibika tha se akti i dhurimit të këtyre dokumenteve vjen i motivuar nga vullneti i diktuar prej Musinesë. “Dëshira e Musinesë ishte që një pjesë e dorëshkrimeve të saj të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit pranë Sotir Kolesë, pasi ai ishte mësuesi i saj i parë dhe ajo eci në gjurmët dhe mësimet e tij. Këtu do të gjeni dorëshkrime, shënime politike, etnografike, gjëegjëza, përralla të mbledhura nga të burgosura nga vende të ndryshme të Shqipërisë nëpër burgjet ku ajo kaloi një pjesë të mirë të jetës”, tha ajo.

Dokumentet e dhuruara, të cilat përfshijnë të dhëna mbi themelimin e Partisë Social-Demokrate (PSD), krijime letrare dhe trajtesa monografike, do të kalojnë nën administrimin dhe ruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). Ky korpus i veprës së Kokalarit i bashkëngjitet kështu fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *