Bota

100 mijë raste në ditë me koronavirus në SHBA

Shtetet e Bashkuara kanë tani mesatarisht 100,000 infeksione të reja në ditë me COVID-19, duke iu rikthyer një shifre që për here të fundit ishte parë gjatë dimrit, duke nxjerrë në pah se sa shpejt është përhapur në të gjithë vendin varianti Delta.

SHBA kishte mesatarisht rreth 11,000 infektime në ditë në fund të qershorit. Tani kjo shifër ka shkuar në 107,143.

U deshën nëntë muaj vitin e kaluar që në SHBA të kapërcente numri mesatar prej 100,000 i rasteve në nëntor, para se të arrinte kulmin në rreth 250,000 në fillim të janarit.

Rastet ranë konsiderueshëm në qershor, por u deshën rreth gjashtë javë për t’u rikthyer në mbi 100,000, pavarësisht se 70% e të rriturve janë vaksinuar.

Edhe mesatarja javore për vdekjet e reja ditore u rrit, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Ajo u rrit gjatë dy javëve të fundit nga rreth 270 vdekje në ditë në gati 500 në ditë deri të premten.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Virusi po përhapet shpejt përmes popullatave të pavaksinuara, veçanërisht në jug të vendit, ku spitalet janë të mbingarkuara me pacientë.
Zyrtarët shëndetësorë kanë frikë se rastet do të vazhdojnë të rriten nëse nuk vaksinohen më shumë amerikanë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vaksinuar plotësisht zyrtarisht gjysmën e popullsisë, falë rritjes së ritmit të vaksinimeve gjatë javës së kaluar.

Në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Drejtori i të Dhënave për COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë Cyrus Shahpar tha se deri të premten, ishin bërë 821,000 vaksina për këtë javë, përfshirë 565,000 persona që bënin dozën e parë.

Ai tha se mesatarja shtatë ditore e të sapovaksinuarve është rritur 11% nga java e kaluar dhe 44% gjatë dy javëve të fundit.

Më herët të premten, organi rregullator mjekësor i Bashkimit Evropian, Agjencia Evropiane e Barnave, rekomandoi përditësimin e etiketave paralajmëruese mjekësore për vaksinën Johnson & Johnson për COVID-19, për të reflektuar reagime shtesë të mundshme ndaj ilaçit.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Ky lajm erdhi vetëm disa orë pasi Johnson & Johnson raportoi rezultatet pozitive të një prove kërkimore në Afrikën e Jugut që tregojnë se vaksina siguron 91% deri në 96.2% mbrojtje ndaj vdekjes, 67% efikasitet kundër shtrimit në spital me variantin Beta të virusit që shkakton COVID-19 dhe 71% kundër variantit Delta.

Ndërkohë, Qendra e Informacionit për Koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins publikoi të dhëna të Premten që tregojnë se pavarësisht futjes së vaksinave të reja COVID-19 muajt e fundit, virusi vazhdon të përhapet në të gjitha pjesët e botës, i nxitur nga varianti shumë ngjitës Delta.

Autoritetet në Australi raportuan një numër rekord infeksionesh COVID-19, përfshirë dy vdekje të shtunën, kryesisht në New South Wales, dhe u bënë thirrje njerëzve të rrinë në shtëpi për të minimizuar një përhapje të mëtejshme të koronavirusit për shkak të variantit Delta.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *