100 euro në muaj për gjyshërit që kujdesen për nipërit e mbesat – zotim i LVV në Kurti 3
Në mandatin e ri, qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë angazhimin për mbështetje sociale përmes programit “Gjenerata për Gjeneratë”. Ky program synon të fuqizojë familjen dhe të sigurojë përkrahje për gjyshërit pensionistë që përkujdesen për nipërit dhe mbesat.
Në kuadër të këtij programi, të gjithë gjyshërit pensionistë që kujdesen për fëmijët e moshës 13-36 muaj, në rastet kur të dy prindërit punojnë, do të përfitojnë 100 euro shtesë çdo muaj mbi pensionin ekzistues. Kjo masë synon të forcojë lidhjet familjare, të mbështesë të moshuarit dhe të lehtësojë gratë në angazhimin e tyre në tregun e punës, duke u siguruar atyre një alternativë të sigurt për kujdesin ndaj fëmijëve.
Ky program është pjesë e vazhdimësisë të politikave sociale të ndërmarra nga Qeveria Kurti, përfshirë rritjen e pensioneve, shtesa për fëmijët, shtesa për lehonat dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
“Gjenerata për Gjeneratë” është një hap i mëtejshëm për të krijuar një sistem social më të drejtë e më të qëndrueshëm, ku gjeneratat mbështesin njëra-tjetrën dhe fuqizojnë bërthamën e familjes.
Rruga Press