Lajme

10 vjet ma parë serbët hoqën fjalën «srbija»

Nga Agim Morina

Qenkan ba 10 vjet që nga koha kur dy parti të pakicës serbe në Republikën e Kosovës patën apliku në Komisionin Qendror Zgjedhor për me garu në zgjedhje. Ata patën vendosë në emnin e subjekteve të tyne fjalën «Srbija». Kjo u ba shkak që KQZ-ja nuk pati pranu regjistrimin e tyne si parti politike.

Pas refuzimit të regjistrimit të këtyne partive, ato ndryshuen emnin dhe hoqën fjalën «Srbija» dhe një nga to ishte, askush tjetër por, «Lista Serbe». Ajo e ndryshoi emnin nga «Lista Srbija» dhe u ba «Lista Srpska». Kështu mori pjesë në zgjedhje.

Shih ironinë: atëherë refuzimi i fjalës «Srbija» nuk ishte mohim i demokracisë dhe i fjalës së lirë, apo edhe ma keq, mohim i të drejtave të pakicës serbe. As serbët nuk protestuen për këtë. E kuptuen dhe e pranuen se Republika e Kosovës asht shtet, e kuptuen dhe e pranuen se pa e heqë fjalën «Srbija» nuk munden me marrë pjesë në zgjedhje.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Tash, 10 vjet ma vonë, po del që refuzimi me regjistru një parti të pakicës SERBE me fjalën «SRBIJA» në emën paska qenë ma i pranueshëm për vetë serbët, ndërsa tash refuzimi me pranu një KOMPANI me pronarë SHQIPTARË me «Pec, Djakovica – Srbija» po bahet i pamundshëm! Bile kjo po don me na u shitë si shtypje e «fjalës së lirë» dhe mungesë e demokracisë.

Lajm i gazetës «Shqiptarja», 17 nëntor 2013:

“Kosovë, drejt mbylljes regjistrimi i subjekteve Komisionit Qendror Zgjedhor i kanë mbetur edhe 18 subjekte politike për të përmbyllur në tërësi çertifikimin e 103 partive garuese për zgjedhjet e 3 nëntorit në Republikën e Kosovës. Anëtarët e Komisionit Qendror bënë të ditur se deri më tani janë çertifikuar edhe 1 mijë e 399 kandidatë dhe 70 subjekte politike.

Me kërkesë të KQZ-së, dy parti serbe kanë ndryshuar emërtimin e tyre, pasi ato akoma aludonin në shtetin serb. KQZ ka kërkuar nga dy përfaqësuesit e listave serbe, që nga emërtimi i tyre ta heqin emrin “Srbija”, dhe njëra nga to, tashmë e ka pranuar ndryshimin e emrit.”

Rruga Press

YouTube player