Zyrtarët perëndimorë paralajmërojnë: Putini mund të përpiqet ende të ripushtojë Kievin
Ndryshimi strategjik i fundit i Rusisë mund të mos nënkuptojë se Presidenti Vladimir Putin ka hequr dorë nga përpjekjet për të kapur kryeqytetin ukrainas të Kievit, sipas zyrtarëve amerikanë dhe perëndimorë.
Putini do të nisë një ofensivë të re brutale në rajonin e Donbasit të Ukrainës Lindore, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ata do të riarmatosen, sepse kanë përdorur shumë municion dhe do të furnizohen me karburant dhe të gjitha gjërat që u nevojiten, ushqim e kështu me radhë, për të nisur një ofensivë të re të madhe”, tha Stoltenberg.
Objektivat afatgjata të Putinit janë të paqarta, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes, megjithatë zyrtarë amerikanë dhe evropianë i kanë thënë CNN se një ripushtim i rajonit të Kievit është ende një mundësi, pavarësisht ndryshimit strategjik të Rusisë dhe bisedimeve të vazhdueshme me Ukrainën.
“Për të mbrojtur çdo territor që kap në lindje, ne presim që Rusia potencialisht mund të zgjerojë projeksionin dhe praninë e saj të forcës edhe më thellë në Ukrainë, përtej provincave Luhansk dhe Donetsk”, u tha gazetarëve të hënën këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan. Të paktën ky është qëllimi dhe plani i tyre.
SHBA pret që Rusia të vazhdojë të nisë sulmet ajrore dhe raketore në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë edhe qytetet e Kievit, Odesa, Kharkiv dhe Lviv, shtoi Sullivan.
“Qëllimi i Rusisë, në fund, është të dobësojë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur”, tha ai.
Rruga Press