Zvicra nuk e fton Rusinë në bisedimet e paqes për Ukrainën
Qeveria zvicerane ka bërë të ditur të enjten se Rusia nuk është ftuar “në këtë fazë” të bisedimeve të paqes që do të mbahen në Zvicër në mes të qershorit.
Bisedimet janë parashikuar për të ndihmuar në arritjen e paqes në konfliktin ndërmjet Moskës dhe Ukrainës që ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, raporton Reuters.
“Zvicra është e bindur se Rusia duhet të jetë e përfshirë në këtë proces. Një proces i paqes pa Rusinë nuk është i mundur”, ka deklaruar qeveria zvicerane.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është tallur muajin e kaluar me një rund të planifikuar të bisedimeve të paqes të Ukrainës në Zvicër, duke paralajmëruar se Moska nuk do të pranojë asnjë plan të detyrueshëm që do të shpërfill interesat e saj.
Qeveria zvicerane ka thënë në prill se do të mbajë një konferencë të nivelit të lartë në qershor, e cila pritet të ndihmojë në hartimin e një rrugë drejt paqes në Ukrainë, pas më shumë se dy vjetësh lufte atje. Qeveria ka thënë se shpreson se Rusia do t’i bashkohet procesit një ditë.
Mirëpo Putini ka thënë se Rusia nuk është ftuar që t’i bashkohet bisedimeve të qershorit, derisa ka theksuar se një proces i paqes nuk mund të ndodhë pa Rusinë.
“Ata nuk na kanë ftuar ne atje. Mbi të gjitha, ata mendojnë se ne nuk kemi se çfarë të bëjmë atje, por njëkohësisht thonë se është e pamundur të vendoset diçka pa ne. Kjo do të ishte qesharake nëse nuk do të ishte aq trishtuese”, ka thënë Putini.
Rruga Press