Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i New York-ut: Nder dhe privilegj i madh
Zohran Mamdani u betua si kryetar i Bashkisë së New York City-t ditën e parë të Vitit të Ri 2026, në stacionin historik të metrosë Old City Hall, shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rama Duwaji.
Betimi, në të cilin ai u zotua të mbështesë Kushtetutën e SHBA-së dhe ligjet e shtetit të New York-ut, u administrua nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit, Letitia James.“Gëzuar Vitin e Ri për njujorkezët, si ata brenda këtij tuneli, ashtu edhe ata lart tij. Ky është vërtet një nder dhe privilegj i jetës sime” tha Mamdani.
Mamdani konsiderohet si figurë novatore dhe 8 milionë banorët e New York-ut e presin me shpresë që ai të jetë një kryetar që do të sjellë ndryshime të mëdha.
Ligji i New York-ut përcakton që mandatet katërvjeçare të kryetarëve fillojnë më 1 janar pas zgjedhjeve.
Për të shmangur çdo paqartësi se kush drejton qytetin më të madh të Amerikës, është bërë traditë të mbahet një betim i vogël menjëherë pas mesnate.
Mamdani zgjodhi stacionin e vjetër të metrosë City Hall, i cili u çaktivizua në mesin e shekullit të kaluar dhe është i aksesueshëm vetëm disa herë në vit përmes turneve të guiduara, si vend për betimin e tij.
Sipas stafit të Mamdanit, ky vend pasqyron “angazhimin e tij ndaj njerëzve punëtorë që mbajnë në këmbë qytetin tonë çdo ditë”.
Mamdani frymëzoi më shumë se 2 milionë votues dhe fitoi me 50%, gati 10 pikë përpara Andrew Cuomo-s që kandidoi si i pavarur dhe shumë përpara republikanit Curtis Sliwa.

