KryesoreLajme

Zjarri tek Uzina e Dinamos në Tiranë, dëme kolosale/ Zjarri pretekst për të pastruar truallin? Ja çfarë thonë tregtarët pas kamerave

Një zjarr masiv ka shkrumbuar plotësisht tregun industrial në zonën e 5 Majit në Tiranë, pranë ish-Uzinës së Dinamos, duke shkaktuar dëme materiale kolosale dhe duke lënë qindra familje pa burimin e tyre të vetëm të të ardhurave. Flakët, që shpërthyen mbrëmjen e së hënës rreth orës 19:00, përfshinë me shpejtësi të gjithë strukturën trekatëshe të një kapanoni, duke e kthyer në hi mallin dhe investimin e një jete të tërë për qindra tregtarë.

Sipas raportimeve të gazetarit nga vendngjarja, dëmet janë të pallogaritshme, me disa biznese që pretendojnë humbje deri në 500,000 euro. Godina shërbente si një qendër e rëndësishme tregtare, ku kati i parë përdorej për shitjen dhe reklamimin e produkteve, ndërsa katet e dyta dhe të treta funksiononin si magazina.

Sipas Gjinajt, pasojat njerëzore të kësaj katastrofe janë të thella dhe shumë prej tregtarëve, të cilët furnizonin biznese në mbarë Shqipërinë, jo vetëm që kanë humbur mallin, por edhe kursimet e jetës, të cilat disa prej tyre i mbanin brenda dyqaneve. Familje të tëra me 4 deri në 6 anëtarë mbaheshin me të ardhurat e gjeneruara nga këto biznese, dhe tashmë përballen me një të ardhme të pasigurt.

Grupet hetimore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Pista kryesore që po hetohet është ajo e një shkëndije elektrike.

Gjinaj shprehet se pamjet filmike të siguruara tregojnë një shkëndi fillestare me ngjyrë jeshile, të pasuar nga një shpërthim i fuqishëm. Përhapja e shpejtë e flakëve u favorizua nga materialet lehtësisht të djegshme me të cilat ishte ndërtuar struktura, si plastika dhe druri, si dhe nga era e fortë. Pavarësisht se pista e aksidentit mbetet kryesorja për autoritetet, mes tregtarëve qarkullojnë dyshime të forta për një zjarrvënie të qëllimshme. Këto dyshime lidhen me faktin se zona e 5 Majit është një pikë e nxehtë e zhvillimeve urbane dhe denoncimeve publike për ndërtime, veçanërisht pas tërmetit.

Sipas gazetarit ekziston frika se zjarri mund të jetë përdorur si një pretekst për të pastruar truallin për ndërtime të reja, një aludim që tregtarët e shprehin jashtë kamerave. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tymi ende del nga rrënojat. Tregtarët e revoltuar akuzojnë për neglizhencë, duke pretenduar se zjarrfikësit nuk kishin ujë të mjaftueshëm për të vënë flakët nën kontroll. 

Fatjon Gjinaj:

Të përshëndes Eneda nga zona e 5 Majit në kryeqytet, e njohur si tregu industrial tek ish-Uzina Dinamo në kryeqytet, teksa prej orës 19:00 të mbrëmjes së kaluar, ndodhej nën pushtetin e flakëve deri në orët e para të mëngjesit. Gjithçka është shkrumbuar dhe tashmë ajo që dominon është tymi dhe dëmi kolosal material i qindra bizneseve që tregtonin në këtë pikë, e familjeve që mbanin ekonomitë e tyre shtëpiake, familjare mbi të ardhurat e siguruara pikërisht nga ky aktivitet. Mallrat dhe produktet e djegura vijnë kryesisht nga Turqia dhe Kina dhe i gjithë kapanoni ku ato ishin të stacionuara ë është shkatërruar nga flakët. Ndërkohë që ka patur biznese që kanë pretenduar edhe në një dëm deri në vlerën e 500.000 eurove për një subjekt të vetëm.

Disa të tjerë që sapo kishin bërë furnizimet përkatëse. Ndërkohë që godina pas krahëve të mi shërbente në katin e parë të saj kryesisht për reklamimin e produkteve që tregtoheshin dhe në katin e dytë dhe të tretë shërbente për magazinimin dhe ruajtjen e materialeve që tregtoheshin në disa raste edhe me shumicë. Tregtarët këtu thonë se furnizonin pika të ndryshme në mbarë vendin dhe dëmet e tyre materiale, financiare dhe ekonomike janë të pariparueshme.

Ndërkohë që sot nuk ka një bilanc konkret. Fokusi i autoriteteve është vendosur dhe është momentalisht tek neutralizimi edhe i atyre vatrave që vijojnë të nxjerrin tym nga kapanoni gjigand në tregun industrial. Ndërkohë që paralelisht grupet e hetimit janë pozicionuar në zonë ku ë po vëzhgojnë përmes jo vetëm kamerave të sigurisë, por edhe veprimeve të tjera hetimore për të dokumentuar shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.

Ndërkohë që paraprakisht ka dyshime që në njërin ose në afërsi të njërit prej subjekteve tregtare ka patur një shkëndi elektrike, e cila për shkak të materialeve me të cilat është ndërtuar kapanoni, shërben për përhapjen masive, e favorizuar edhe nga era që ka fryrë mbrëmjen e kaluar këtu në zonën ku ndodhet edhe tregu industrial. Nuk përjashton faktin që përmenda më sipër, mbi të cilin po hetohet, edhe rrethana të tjera të kësaj ngjarje. Ajo çfarë thonë autoritetet jo zyrtarisht, ka të bëjë me dyshime që mund të jetë një ngjarje aksidentale.

Jashtë kamerave, nga ana tjetër tregtarët nuk përjashtojnë asnjë pistë tjetër, përfshirë edhe mundësinë e ndonjë zjarrvënie të qëllimshme apo prapaskene lidhur me këtë situatë. Fjalën e fundit do të duhet ta thonë autoritetet që hetojnë këtë ngjarje të rëndë, që e përsëris, dhe jo më kot, ka patur pasoja për familje mesatare tiranase, por jo vetëm, financiare, mbi të cilat, siç do të dëgjojmë edhe më pas nga prononcimet e disa prej tregtarëve, mbanin familjet prej katër, pesë deri në gjashtë anëtarë, me të vetmin burim të të ardhurash që janë nga fitimet që nxirrnin me produktet që shisnin në tregun industrial.

Ende nuk ka një komunikatë zyrtare nga autoritetet e emergjencave për të dokumentuar dhe pasqyruar atë çfarë ka ndodhur, por edhe për të përcaktuar qoftë dëmet materiale që janë të pallogaritshme të paktën për momentin, e deri tek shkaqet e kësaj ngjarje. Mund të themi në përmbledhje të gjithë kësaj situate, duke analizuar edhe pamjet që kemi siguruar nga momenti kur dyshohet se ka nisur edhe shkëndija e parë e zjarrit në tregun industrial, në Uzinën Dinamo, në lagjen 5 Maji të kryeqytetit. Duket fillimisht një shkëndi që ka një ngjyrim si të jeshiltë, ndërkohë që më pas shihet një shpërthim zjarri dhe i është dashur vetëm pak minuta që gjithçka të përfundonte me një bilanc mjaft të rëndë. Fatmirësisht pa pasoja në njerëz, por me dëme mjaft të mëdha materiale. Kapanoni është i përbërë nga plastika, nga druri dhe nga pajisje e mjete të tjera materiale që kanë ndihmuar në përhapjen masive të zjarrit.

Fillimisht është përhapur në pjesën e çatisë, që është e mbuluar me materiale që janë të djegshme dhe në fakt zjarri ka patur, e ka patur përparësi fatkeqësisht përhapjen dhe thjesht e vetëm llojin e materialit që shërben për mbulimin apo rrethimin e objektit, për t’u përhapur në mënyrë masive më tej në të gjithë kapanonin flakët e zjarrit dhe shumica e bizneseve janë djegur edhe përmes çatisë që ka rënë sipër tyre.

E theksoj, janë objekte tre katëshe, katet e para kanë shërbyer për reklamimin e produkteve që tregtoheshin, ndërkohë katet e dyta dhe të treta ngjiteshin përmes dyqaneve të secilit subjekt dhe mbaheshin materialet që tregtoheshin me shumicë. Nga gjithë Shqipëria thonë tregtarët vinin në biznese dhe furnizoheshin pikërisht në tregun industrial, që grumbullonte kryesisht rroba, sende elektroshtëpiake, materiale të tjera të të gjitha llojeve këtu në zonën e 5 Majit. Në fakt ato që pyesim qoftë para kamerave, por sidomos pas kamerave ku shprehet edhe revolta më e madhe, është heshtja e autoriteteve për të ofruar të paktën parimisht një zgjidhje se çfarë do të ndodhë me ta. Ka biznese që kanë pretenduar se edhe kursimet e tyre i kanë të ruajtura pikërisht në dyqanet që mbrëmë ndodheshin të kyçura për shkak të orarit ku kishin përfunduar punën ditore.

Disa kanë pretenduar që kanë vlera 5.000 euro, disa kanë pretenduar për vlera edhe deri në 100.000 euro kursime apo para të aktivitetit të tyre tregtar që ndodheshin brenda ambienteve të bizneseve të tyre. E ky nuk është vetëm bilanci i vetëm i kësaj ngjarje, është bilanci se mbi të gjitha këta tregtarë mbeten pa punë dhe pa aktivitet, e kështu rrjedhimisht edhe pa të ardhura financiare për të mbajtur familjet e tyre. Dëmet materiale që kanë qenë të shumta dhe të shumëllojshme dhe mbi të gjitha edhe një mungesë përgjigje se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim me ta.

Në fakt, një pjesë e tregtarëve që kanë ardhur dhe ndodhen edhe aktualisht në zonën ku po raportojmë, e kanë patur të vështirë të prononcohen. Kemi kuptuar edhe revoltën e tyre, madje ata kanë edhe pretendime që nëpër media është aluduar që bëhet fjalë për rroba apo materiale të përdorura, kur në fakt ata pretendojnë se janë gjithçka të mbërritura në mënyrë procedurale, përmes doganave, tatimeve e të tjera me radhë, është paguar çdo detyrim ndaj shtetit dhe janë materiale fringo të reja, sipas tyre. Sa i takon pyetjes që ju bëni, lidhur me aludimet që mund të, mund t’i përmendim dhe theksojmë si aludime, pasi është autoriteti shtetëror që shprehet në mënyrë përfundimtare mbi analizimin e provave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje, nuk përjashtohet asnjë mundësi.

E për vetë faktin se në 5 Maj është një nga zonat më të nxehta të denoncimeve të mëdha publike, politike, nëse është nevoja, sa i takon ndërtimit dhe këtij sektori në kryeqytet. Vetëm pak metra larg nesh ndodhen objekte shumëkatëshe, të ndërtuara pas ngjarjeve të tërmetit të rreth pesë viteve më parë, ndërkohë që është një nga zonat me polemikat më të mëdha publike dhe plagët sociale që janë theksuar përmes tyre, të familjeve që mbeten pa strehë ose që u zhvendosën për t’iu hapur rrugë pallateve. E nuk përjashtohet nga banorët, tregtarët, edhe kjo e fundit, pavarësisht se para kamerave ata nuk kanë preferuar të prononcohen, që kjo zonë mund të shërbejë në të ardhmen për zhvillimin e sektorit të ndërtimit.

Ajo çfarë është e rëndësishme është që autoritetet të dalin me një përgjigje përfundimtare se cili ka qenë shkaku i kësaj ngjarje, cilat kanë qenë masat e sigurisë në këtë pronë publike në kryeqytet. Publike përderisa aty ushtronin aktivitetin një numër i lartë qytetarësh, pasi edhe në këtë pikë ndahet çështja dhe debati, duke qenë se pretendohet se janë një sërë pronarësh të truallit ku ndodhet edhe tregu. 

Rruga Press

Lexo më shumë  PAMJE TE RËNDA/ Federalët amerikanë vrasin një grua që nuk ndali makinën
YouTube player