Zjarrfikësi me mustaqe të ngrira, “posteri” i motit ekstrem në SHBA
Fotografia e jashtëzakonshme e një zjarrfikësi të mbështjellë plotësisht nga akulli pas një beteje me flakët në Masaçusets, që zgjati disa orë, u bë simbol i motit ekstrem në Shtetet e Bashkuara. Stuhi bore, përmbytje dhe disa zjarre në pjesë të ndryshme të bregut lindor amerikan shkaktuan probleme të shumta për miliona vetë.
Zjarrfikësit në foton e shkrepur nga kolegu i tij Joshua Hetzler, i ka ngrirë helmeta, veshja, vetullat dhe mustaqet, pasi po punonte për të fikur zjarrin në qytezën Fall River, i rrethuar nga bora dhe akulli.
Kryebashkiaku i qytezës, Paul Coogan, lavdëroi grupin e zjarrfikësve për punën e bërë në kushte tepër të vështira, duke shmangur përhapjen e flakëve në banesat e tjera të zonës. Për shkak të reshjeve të dendura të borës, zjarrfikësit e kishin të vështirë edhe të arrinin pompat e ujit të vendosura nëpër rrugë dhe u kanë bërë thirrje banorëve që ta pastrojnë vetë borën, për të lehtësuar punën e tyre në rast zjarresh.
Stuhia e borës dhe moti ekstrem arriti deri në Florida dhe në Karaibe. Të hënën, të paktën 90 milionë persona, në 14 shtete të ndryshme, u vunë në gjendje alerti dhe u paralajmëruar për t’u përgatitur për një tjetër goditje, ketë herë më në brendësi të kontinentit amerikan, në shtete si Kolorado, Nju Meksiko, Kansas, Oklahoma, Misuri, Illinoi, Indiana dhe Miçigan.
Rruga Press